Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, viziton Ukrainën më 23 gusht.
Ky udhëtim shihet si një akt balancues diplomatik, pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, muajin e kaluar në Moskë.
Vizita e Modit është e para e një udhëheqësi indian në Kiev, prej se dy vendet vendosën marrëdhënie dypalëshe më shumë se 30 vjet më parë.
Shtetet e Bashkuara ishin veçanërisht të shqetësuara me vizitën dyditore të Modit në Rusi, pasi ato e shohin Nju Delhin si shtyllë të rëndësishme në strategjinë e tyre për frenimin e Kinës.
Analistët indianë thonë se arsye kryesore e vizitës së Modit në Ukrainë është riparimi i dëmeve që shkaktoi vizita e tij në Moskë më 8 dhe 9 korrik.
Kjo vizitë ndodhi në kohën e një sulmi vdekjeprurës rus në një spital për fëmijë në Kiev, i cili u dënua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
Duke iu drejtuar Kremlinit, Modi tha se vdekja e fëmijëve të pafajshëm është “e dhimbshme” dhe përsëriti qëndrimin e deklaruar të Indisë se problemet politike nuk mund të zgjidhen “në fushën e betejës”.
Megjithatë, vizita e Modit në Ukrainë duhet të shihet edhe si një pjesë e politikës së jashtme shumëplanëshe të Indisë.
Nju Delhi kërkon një partneritet më të ngushtë të sigurisë me Perëndimin – siç është grupimi i tij Quad i sigurisë me Australinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara – si mburojë kundër armikut kryesor të tij, Kinës.
Në të njëjtën kohë, India mban marrëdhënie historikisht të ngrohta me Rusinë, duke u mbështetur në armët dhe naftën ruse, të cilat tash i siguron me çmime më të ulëta.
Për këtë arsye, India mban një qëndrim neutral ndaj pushtimit rus të Ukrainës, duke deklaruar se konflikti duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe diplomacisë.
Nju Delhi druan se nëse e dënon Rusinë dhe u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, ai do ta zemërojë Kremlinin dhe do ta shtyjë atë më pranë Kinës dhe Pakistanit – dy rivalëve kryesorë të Indisë.
Ngjashëm, India nuk dëshiron ta zemërojë as Ukrainën. Por, përkundrazi, do që të pozicionohet si palë e paanshme e interesit.
Bloomberg, duke cituar një burim të brendshëm, raportoi se Modi ka përjashtuar rolin e Indisë si ndërmjetëse për t’i dhënë fund luftës. Por, Nju Delhi ka rënë dakord të transmetojë mesazhe midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha ai.
Nga pikëpamja e Ukrainës, India ka luajtur rol të rëndësishëm në bindjen e disa shteteve nga i ashtuquajturi Jugu Global që ose të qëndrojnë neutrale ndaj luftës, ose të tregojnë mbështetje për Ukrainën, sipas Bloombergut.
Modi dhe Zelensky u takuan në qershor në margjina të një takimi të grupit të vendeve më të industrializuara, G7, në Itali.
Ata kanë folur edhe disa herë me telefon që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.
Përveç bisedimeve për gjeopolitikën, dy udhëheqësit pritet të flasin edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Tregtia dypalëshe midis Indisë dhe Ukrainës ka arritur në 3.3 miliardë dollarë në vitin financiar 2021-2022, sipas Ministrisë së Jashtme të Indisë.
Për krahasim, tregtia vjetore mes Indisë dhe Rusisë kap vlerën e 65 miliardë dollarëve.
Ukraina dëshiron t’i forcojë lidhjet ekonomike me Indinë, veçanërisht në sferat e bujqësisë, aviacionit, farmaceutikës dhe industrisë, tha Zelensky më herët këtë vit.
Në anën tjetër, India ka nevojë për produkte mbrojtëse nga Ukraina, veçanërisht motorë avionësh dhe detarë.
Vizita e Modit në Ukrainë mund të ngjallë reagime negative nga Rusia, ashtu sikurse vizita e tij në Moskë që ka zemëruar Uashingtonin.
Sfidë për diplomacinë indiane është t’i promovojë mesazhet e saj private, për t’i qetësuar shqetësimet e të dyja vendeve, duke e portretizuar udhëtimin edhe si një nismë të re të guximshme, tha Shashi Tharoor, ish-ministër dhe diplomat indian.
“Arritja e kësaj do të ishte një triumf gjeopolitik. Por, nëse vizita shkon keq, mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme në pozitën globale të Indisë”, shkroi Tharoor në një koment për Project Syndicate, më 13 gusht.
Përpara Ukrainës, Modi vizitoi aleaten e fortë të Ukrainës, Poloninë, më 22 gusht. Ishte ky udhëtimi i parë i një udhëheqësi indian në Varshavë në më shumë se 40 vjet. /Radio Evropa e Lirë/