Arrestimi i Pavel Durov , themeluesit të platformës së njohur të rrjetit social Telegram, shkaktoi një valë reagimesh në Rusi. Kujtojmë se autoritetet franceze arrestuan Durovin me akuza për trafik droge, krim të organizuar dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve në platformën e tij, por tronditja në Moskë nuk lidhej vetëm me akuzat penale.
Telegrami është bërë një mjet jetik për koordinimin e operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë dhe arrestimi i tij mund të dëmtojë seriozisht aftësitë e komunikimit të ushtrisë ruse – shkruan POLITICO.
Blogerët ushtarakë rusë, të njohur për qëndrimin e tyre pro luftës, nuk hezituan të shprehin shqetësimin për ndalimin e Durov. “Ata praktikisht arrestuan shefin e komunikimeve të ushtrisë ruse”, shkroi kanali Povernutie na Z Voine në Telegram, duke iu referuar ndikimit të Durov në operacionet ushtarake të Kremlinit.
Pavarësisht përpjekjeve për të zhvilluar një sistem alternativ komunikimi, ushtria ruse mbeti e varur nga Telegram për shkak të vështirësive të veta në zhvillimin e mjeteve të sigurta të komunikimit.
Panik në Rusi
Disa politikanë rusë besojnë se arrestimi i Durov ka motive politike. Nënkryetari i Dumës, Vladislav Davankov , shprehu frikën se autoritetet franceze mund ta detyronin Durov të dorëzonte çelësat e enkriptimit, të cilat do të lejonin aksesin në të dhënat konfidenciale të përdoruesve. Davankov bëri thirrje për veprim të menjëhershëm dhe sugjeroi që Durov të transferohej në Emiratet e Bashkuara Arabe ose Rusi nëse situata bëhet më e ndërlikuar.
Presidenti francez Emmanuel Macron mohoi pretendimet për një sfond politik të arrestimit, duke theksuar se vendimi ishte marrë vetëm në bazë të ligjit.
Megjithatë, shqetësimet po rriten në Kremlin. Kryeredaktorja e RT Margarita Simonyan paralajmëroi zyrtarët rusë që të fshijnë të gjitha të dhënat e ndjeshme nga Telegram, duke sugjeruar se Durov mund të detyrohet të dorëzojë informacionin.
“Rusët bëjnë gjithçka përmes Telegramit”
Nazar Tokar , kreu i grupit kërkimor të Kremlingram, i cili merret me çështjet e sigurisë së Telegram, pretendon se platforma është bërë mjeti kryesor për koordinimin e operacioneve ushtarake ruse, rekrutimin e agjentëve dhe organizimin e operacioneve kundër terrorizmit.
“Rusët bëjnë gjithçka përmes Telegramit”, thotë Tokar, duke vënë në dukje rolin e tij në operacionet e fundit në Ukrainë, duke përfshirë sabotimin e objektivave ushtarake ukrainase. Arrestimi i Durov ndezi diskutime rreth sigurisë së komunikimit brenda strukturave ushtarake dhe politike ruse. Ndërsa ushtria ruse përpiqet të gjejë alternativa, frika se Durov mund të dorëzojë të dhëna të koduara autoriteteve franceze vazhdon të rritet.
Situata nuk është aspak e qartë dhe ekspertët rusë janë ende duke monitoruar nga afër sesi gjykatat franceze do të pozicionohen ndaj Durovit dhe platformës së tij.