Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka realizuar aksionin “Sot unë polic i Kosovës”, i cili mundësoi njoftimin e fëmijëve për misionin e Policisë së Kosovës në mënyrë praktike.
“Gjatë realizimit të këtij projekti, disa fëmijë të veshur me uniformë policore patën përshtypjen si të ishin zyrtarë të vërtetë policorë, duke komunikuar me qytetarë, shoferë dhe udhëtarë të rastit. Ata bashkë me policë morën pjesë në ndalje dhe kontroll të automjete dhe shpërndanë fletushka vetëdijësuese rreth dukurive negative, si dhe materiale për ngjyrosje për fëmijë, të mbushura me animacione edukative”, thuhet në komunikatën për media.
Gjithashtu fëmijët patën rastin të vizitojnë stacionin e policisë në Ferizaj dhe Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Ferizajt.
“Ky aktivitet u mirëprit me shumë entuziazëm, si nga fëmijët , e poashtu edhe nga qytetarët, duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes publike për sigurinë në komunikacionin rrugor dhe për rolin e rëndësishëm që luan Policia e Kosovës në mbrojtjen e qytetarëve në përgjithësi”, theksohet tutje në komunikatë. /Kosovatimes/