Zbardhen detaje nga sulmi me thikë mbrëmë në Gjermani.
Në Siegen-Eiserfeld, një grua 32-vjeçare gjermane sulmoi gjashtë persona në një autobus me thikë të premten në mbrëmje. Tre persona kanë marrë lëndime të rrezikshme për jetën, një është plagosur rëndë dhe dy janë lënduar lehtë, raporton WDR.
Nuk është terrorizëm
Autobusi ishte rrugës për në festivalin e qytetit në Siegen. Policia arrestoi sulmuesin. Hetuesit aktualisht nuk besojnë se ishte një akt terrorist. “Për momentin nuk ka asnjë rrezik tjetër”, tha policia.
Sipas policisë, i dyshuari rreth orës 19:40 ka sulmuar me thikë gjashtë persona të moshës 16 deri në 30 vjeç. Tre persona janë ende në rrezik, ndërsa tre të plagosurit e mbetur janë larguar nga spitali pasi kanë marrë mjekimin. Sipas policisë dhe prokurorisë së shtetit, të gjithë të plagosurit janë nga rrethi Siegen-Wittgenstein.
Autobusi duhej të çonte pasagjerët në festivalin e qytetit. Në autobus ndodheshin të paktën 40 persona të tjerë.
Sulmuesi është shtetas gjerman
Disa pasagjerë kanë lajmëruar policinë, pas së cilës policët kanë arrestuar të dyshuarin, shtetas gjerman. 32-vjeçari tashmë është i njohur për policinë. Sipas informacioneve të agjencisë dpa, ka të dhëna për sëmundje mendore të gruas.
Policia e Dortmundit ka marrë përsipër hetimet dhe po udhëheq aksionin. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos përhapin lajme të rreme në rrjetet sociale apo kanale të tjera dhe të mos e lidhin sulmin me sulm terrorist. Sipas deklaratave të prokurorisë së shtetit dhe policisë, “nuk ka të dhëna për motiv politik apo fetar”.
Një zëdhënës i kompanisë së transportit Westfalen-Süd tha për gazetën se shoferi i autobusit reagoi shpejt, ndaloi autobusin menjëherë pasi incidenti filloi brenda automjetit dhe hapi të gjitha dyert. Kjo i lejoi pasagjerët të iknin shpejt nga autobusi dhe mund të kishte parandaluar pasoja edhe më të këqija. Sipas njoftimit të gazetës, në autobus ka pasur edhe fëmijë dhe të rinj.
Pas një sulmi me thikë në Solingen një javë më parë, në të cilin një islamist vrau tre persona dhe plagosi rëndë tetë, festivali i qytetit në Siegen po aplikon një koncept të shtuar të sigurisë dhe festivali do të vazhdojë.