Gjenerali rus që mbikëqyrë luftën kundër Ukrainës ka përfituar nga marrëveshjet luksoze që përfshijnë gruan e tij biznesmene, minierat siriane të fosfatit dhe pagesat e dyshimta nga një biznesmen i lidhur me Kremlinin, thuhet në një hulumtim të ri.
Këto përfundime, të nxjerra nga hetuesit e organizatës të aktivistit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny, shfaqin një pamje më të qartë të gjeneralit Sergei Surovikin, që ka komanduar operacionet e Rusisë në Siri në fund të vitit 2010 dhe i cili ka marrë nofkën “Gjenerali Armagedon” për shkak të reputacionit për brutalitetin në Siri.Presidenti Vladimir Putin më 8 tetor e emëroi Surovikin komandant të përgjithshëm të forcave ruse në Ukrainë, që paraqet një përpjekje nga Kremlini dhe Ministria e Mbrojtjes për të vendosur në binarë përpjekjet e luftës, pas një sërë ngecjesh.
Më 9 nëntor, Surovikin dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, njoftuan për tërheqjen e trupave ruse nga bregu perëndimor i Lumit Dnjepër në rajonin e Hersonit. Kjo ishte humbja e fundit e rusëve në një seri humbjesh në fushëbetejë që kanë trimëruar trupat ukrainase.
Hulumtimi, i publikuar më 10 nëntor, vënë në pak përpjekjet e vazhdueshme të bashkëpunëtorëve të Navalnyt, të cilët kanë çuar përpara projektet e organizatës së Navalnyt edhe pasi ai u burgos vitin e kaluar. Organizata që themeloi ai, Fondacioni Kundër Korrupsionit, ka publikuar disa raporte që synojnë të kuptojnë origjinën e pasurisë dhe pronës së njerëzve të afërt me Putinin. Kjo organizatë u shpall “ekstremiste” nga shteti vitin e kaluar dhe është e ndaluar në Rusi.
Shumica e bashkëpunëtorëve të tij janë detyruar të largohen nga Rusia ose para apo edhe pas pushtimit të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.
Në hulumtimin e ri thuhet se Surovikin mund të ketë përfituar financiarisht gjatë dhe pas kohës së komandimit të forcave ruse në Siri, për shkak të një marrëveshjeje të komplikuar ku përfshihet Gennady Timchenko, një biznesmen i lidhur me Kremlinin, që ka bërë miliarda në tregtinë e naftës dhe energjisë përmes kompanisë të quajtur Gunvor.
Bizneset e Timchenkos “janë të lidhura drejtpërdrejt me Putinin”, sipas Departamentit amerikan të Thesarit, dhe “Putin ka investime në Gunvor dhe mund të ketë qasje në fondet e Gunvorit”.
Sipas marrëveshjes, detajet e të cilave janë zbuluar nga hetuesit e Navalnyt, një kompani ndërtimore në pronësi të Timchenkos, e quajtur Stroytransgaz, fitoi qasje në dy operacione të mihjes së fosfatit sirianë pranë Palmirës. Dy vendet ku u bë mihja janë Al-Sharkija dhe Kneifis.
Stroytransgaz nisi të nxjerrë fosfate – që veç tjerash përdoren në plehra artificiale – në verën e vitit 2017, rreth dy vjet pasi Rusia rriti ndërhyrjen e saj ushtarake në Siri për të ndihmuar regjimin e diktatorit Bashar al-Assad.
Në dhjetorin e po atij viti, Surovikin, që mori komandën e përgjegjshme të fushatës ruse në Siri në fillim të vitit 2017, u shfaq në televizionet ruse duke informuar Putinin për çlirimin e Al-Sharkijës dhe Knefisit, teksa Putini bëri një vizitë të paparalajmëruar në Siri.
Pak kohë pas kësaj, Surovikin u largua nga komandimi i fushatës siriane, pasi Putin e emëroi atë komandant të përgjithshëm të forcave ajrore ruse.
Sipas hetuesve të Navalnyt, nëndega e kompanisë Stroytransgaz, e quajtur STG Logistika, në periudhën 2020-2021, pagoi 104 milionë rubla kredi një kompanie që merret me lëndë druri të quajtur Argus SFK. Kjo shumë është rreth 2 milionë dollarë bazuar në kursin e këmbimit të asaj kohe.
Kompania, e cila ka selinë në rajonin rus të Sverdlovskit, është bashkëthemeluar nga gruaja e Surovikinit, së bashku me vajzën e një Aleksandr Misharin, që ka shërbyer si guvernator rajonal.
Për më tepër, sipas hulumtimit, gruaja e shefit ekzekutiv të Stroytransgazit po ashtu i dha kompanisë Argus SFP një kredi prej 25 milionë rublash (rreth 412.000 dollarë).
Ekipi i Navalnyt pretendon se këto kredi kanë shërbyer si pagesë e destinuar për Surovikinin për biznesin e kryer gjatë operacionit sirian.
As Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, as Stroytransgaz, e as kompanitë e tjera të Timichenkos nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.
Gjetjet nga hetuesit e Navalnyt duket se janë bazuar në masë të madhe në të dhënat e kompanisë dhe të dhënat e patundshmërive.
Më herët gjatë këtij muaji, regjistri kombëtar i Rusisë për prona papritur kufizoi qasjen në të dhënat e familjes së ngushtë dhe familjarëve të Surovikinit, duke i cilësuar ato të dhëna si të klasifikuara.
Vetë Navalny u arrestua në Moskë në janar të vitit 2021 me t’u kthyer nga Gjermania, ku ishte trajtuar ndaj ekspozimit ndaj një agjenti nervor të epokës sovjetike, që për pak nuk e vrau. Ai thotë se të dhënat tregojnë se helmimi u krye nga operativët e Shërbimit Federal të Sigurisë që kanë vepruar në emër të Putinit.
Navalny është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të lirimit me kusht gjatë udhëtimit të tij jashtë vendit për shërim. Në mars të vitit 2022, ai u dënua me nëntë vjet për një rast tjetër që ka të bëjë me akuza për keqpërdorim fondesh. Ai dhe mbështetësit e tij thonë se akuzat e reja dhe ato të rasteve të mëhershme janë absurde dhe të motivuara politikisht.
Ai aktualisht gjendet në një burg në Rusinë qendrore.