Shkruan: Florim ZEQA
Provokimet e para “paqësore” të serbëve në veri të Kosovës tashmë kanë filluar. Pikërisht më 14 shtator, në zonat e banuara me shumicë serbe në rrugët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe të Graçanices, janë vendosur flamujt serb teksa serbët më 15 shtator shënuan Ditën e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar të Serbëve, simbolikë kjo e politikës nacionaliste, e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet, siç e pretendojnë ata. Ndaj paraqitjes së kërkesave nacionaliste dhe ripërtëritjes së flamujve serb në veri, kanë reaguar me retorikë boshe drejtuesit e institucioneve të Kosovës, pa qenë në gjendje për ta larguar asnjë flamur serb të vendosur në objektet publike dhe hapësirat e shtetit të pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës! Vazhdimi me avazin e vjetër e të kërkuarit ndihmë nga faktori ndërkombëtar për të kundërshtuar dhe “dënuar” ashpër reagimin, sjelljen dhe gjuhën agresive e armiqësore të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, karshi Kosovës.
– Shihet qartë se Aleksandër Vuçiq nuk e ka ndër mend të ndalë invazionin politik kundër Kosovës dhe as instrumentalizimin e serbëve të Kosovës për interesa të shtetit të Serbisë në dëm të shtetit tonë, duke provokuar destabilizimin e radhës të Kosovës. Shkaku i ftohjes së marrëdhënjeve shtetërore të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, këta të fundit po sillen me shumë indiferencë dhe mos interesim ndaj lëvizjeve të fundit të Beogradit zyrtar karshi Kosovës, lëvizje këto që nuk mundë të injorohen për nga pesha e rrezikshmërisë së lartë. Kjo është tepër shqtësuese, pasi provokimet e Serbisë mund të prodhojnë destabilizim të gjërë në rajon dhe acarim serioz të situatës, pikërisht për faktin se tani Kosova ka një qeveri në ikje dhe më legjitimitet të zbehur kushtetues, me mandat të tej konsumuar në pritje të zgjedhjeve të reja. Siq dihet, gjatë adresimit publik presidenti serb, Aleksandar Vuçiq më 13 shtator kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, si kushtet kryesore të cilat ai konsideron se prodhojnë siguri më të madhe për serbët lokal. Mosreagimi i faktorit ndërkombëtar ndaj kërkesave të Vuçiçit paraqet shqetësim real për kthim prapa të Kosovës si në rrafshin politik po ashtu edhe në atë praktik, i cili mund ta prodhojë një situatë të re në veriun e vendit, për çka, më nuk do të bëhet fjalë për hapjen e Urës, nga e cila janë larguar edhe drejtuesit e lartë shtetërorë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, të cilët tashmë fatin e hapjes së Urës e kanë lënë në dorën e KFOR-it dhe vullnetin e serbëve të veriut! Qëllimet e Serbisë janë të qarta, ajo synon destabilizimin e situatës në Kosovë pikërisht në pragë të fushatës zgjedhore, me qëllim të ç’rregullimit total për t’i realizuar më lehtë orekset e saj grabitçare ndaj Kosovëas, për të cilën gjë, viteve të fundit është ndihmuar jashtëzakonisht shumë nga veprimet e pamatura të ‘Qeverisë së Kosovës’, e cila sillej sikur të ishte supërfuqi botërore ndaj serbëve dhe bashkësisë ndërkombëtare në veçanti!