Shkruan: Shqiprim PULA
Ditë më parë, në një vizitë të patrumbetuar në Prishtinë erdhi William Burns, si drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), e që nuk ndahen publikisht detajet e udhëtimit dhe as nuk komentohen, dhe se udhëtimi i drejtorit të CIA-s është me përcjellje solide, pa media dhe bisedat madje mbahen në fshehtësi, ngase ofron inteligjencë për vendet e huaja, drejtpërdrejtë drejtorisë të Inteligjencës Kombëtare, e cila informon Presidentin e ShBA-ve. Por, profili i William Burns-it, si autor librash, zyrtar i lartë pranë Departamentit të Shtetit, e edhe ambasador në federatën Ruse, për vëmendjen tonë, ka sjellë matricën mbi inteligjencën në rrethana sigurie.
Në kontekst të adresimit të sfidave aktuale dhe të së ardhmes së sigurisë, me theks sulmet (potenciale) e armatosura dhe hibride, kërkon që shtetet partnere të bashkëpunojnë në njohjen e të panjohurave, bashkërendojnë inteligjencën si mundësi efiçiente për t’u përballur efektivisht me to. Domosdoshmëria e kohës është të analizohen lidhjet në mes veprimtarisë së komunitetit të inteligjencës partnere kundrejt atyre kundërshtare, si proces, i krijimit të inteligjencës së përbashkët me informacionet ekzistuese dhe të krijuara, për t’u bë ballë sfidave aktuale dhe të ardhshme mbi sigurinë.
Historiku i rolit diplomatik i CIA-s njihet vite më parë që nga administrata e Presidentit Reagan; madje presidenti Biden për inteligjencë diplomacie në disa raste e ka dërguar William Burns, p.sh.; në fund të vitit 2021 në Moskë pak përpara të ashtuquajturit ‘operacion special ushtarak’ në Ukrainë; në Arabinë Saudite më 2022; në Shkurt 2023 në Pekin pas rrëzimit të një balone spiune Kineze; në Kiev disa herë për të ndarë informata inteligjente me Presidentin Zelenskyy në lidhje me federatën Ruse; apo në Lindjen e Mesme disa herë duke e përfshirë në lirimin e pengjeve të Hamasit dhe përpjekjes për ndaljen e luftimeve atje. Pra, ardhja e drejtorit të CIA-s, në vendin tonë, në takim me krerët shtetëror u ka sjellë matricën e qëndrueshme me informacione, me dobishmërinë e efekteve të saj, për një bashkëkrijim inteligjence e cila shërben për proces vendimmarrës politik. Të ditura janë rastet kur inteligjencat kundërshtare aprovojnë qasje sulmuese shumëdimensionale, duke i vendosur madje edhe fazat e sulmit kundër qëllimeve dhe objektivave tona për t’i arritur objektivat e tyre të pretenduara. Po ashtu, prezenca e drejtorit të CIA-s, tek institucionet e Republikës, ka theksuar nevojën e forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore politike dhe të sigurisë. Pranimi dhe ndarja e informacioneve inteligjente janë të menaxhueshme brenda akterëve përgjegjës për njohjen e kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme, inicimi i mekanizmave mbrojtëse veçanërisht kur kemi të bëjmë me sulme të armatosura e hibride, dhe rreziqe të natyrave të tjera, të cilat rreziqe mund të jenë me objektiv në njerëz e në sisteme, duke lënduar edhe besimet mbi principet vendimmarrëse të institucioneve shtetërore. Brenda komunitetit të inteligjencës, vlen thënia ‘vetëm ndryshimi është vazhdimësi gjatë jetës’, prandaj, pa dyshim duhet vlerësuar planifikimet, komunikimet dhe koordinimet, ndaj të shumta kundërligjshmëri të ndodhura në veriun e vendit, por, edhe adresa prej nga na vijnë rreziqet, siç është kryesisht fqinji ynë verior. Kështu që, përmbushja e qëllimeve dhe objektivave kohore, duke bashkëpunuar me inteligjencën partnere, do të nënkuptonte informacione të plota, të besueshme dhe të sakta, për evitimin e ndonjë kurthi nga inteligjencat kundërshtare.
Natyrisht, agjencia e inteligjencës në vendin tonë, është relativisht e re dhe pa mëdyshje që mirëpret ekspertizë profesionale duke mbledhur e pranuar informacione që shërbejnë strategjikisht duke ju referuar se; ne jemi në dijeni që janë të njohurat e njohura, pra, ne dimë se ka gjëra që i dimë, dhe ne jemi në dijeni që janë të panjohurat e panjohura, që nënkupton ne e dimë se ka gjëra që nuk i dimë!. Matrica e sigurisë së informacionit e sjellë nga William Burns, ka të bëjë; me të njohurat e njohura; të njohurat e panjohura; të panjohurat e njohura dhe të panjohurat e panjohura. Pra, kushdo që pranon informacione inteligjente duhet t’a dijë se informacionet duhet të jenë të plota e të sakta në mënyrë që të shmang çdo lloj (dez)informimi si të vërtet për t’i evituar pasojat negative nga informimi i pavërtet.
Brenda kontekstit të informacioneve inteligjente, nga komuniteti i inteligjencës partner duhet konsideruar e vlerësuar këshillat apo sygjerimet, kurdo kur ka të bëjë me sigurinë e tërësishme të Republikës e të veriut të vendit në veçanti. Ndërkaq, brenda kontekstit të vendimmarrjes politike institucionet të paraprira tek informacionet inteligjente konfirmojnë konceptin e dobishmërisë së vendimmarrjes shtetërore.
Sfidat e shekullit që po i jetojmë na ka mësuar se ndërvarësia ekonomike, politike dhe e sigurisë është evidente gjithandej, andaj asnjë vend i vetëm nuk mund t’i luftojë i vetëm rreziqet e armatosura apo hibride, prandaj dhe, për parandalim efektiv kërkohet angazhim bashkëpunimi me theks të veçantë në siguri, si vlerë dhe çmimi i diplomacisë në inteligjencë, madje duke pasqyruar takimet tregon thellim të inteligjencë diplomacisë.
Optika e tyre e vëzhgimeve dhe vlerësimeve në rajonin tonë por edhe më gjerë, n’a mundëson të absorbojmë partneritet të besueshëm e mirë të informuar për çështje të ndjeshme të cilat mund të reflektojnë në vendimmarrje shtetërore.