Derisa Tatevik Khachatrian ishte detyruar të linte pas vetes gjithçka një vit më parë, Vasila Mammadova shpresonte se, për herë të parë pas 30 vjetëve, kishte gjasa që gjithçka që dikur kishte t’i ktheheshin asaj përsëri.
Më 19 shtator 2023, Azerbajxhani nisi një ofensivë për ta rimarrë Nagorno-Karabakun, territorin që e kishte humbur kundër forcave armene në vitet ’90.
Brenda 24 orëve, udhëheqësia de facto armene e Karabakut u dorëzua dhe, në ditët që pasuan, pothuajse e gjithë popullsia e territorit, praktikisht të gjithë armenët etnikë, u larguan. Në mesin e tyre edhe Khachatrian, një gazetare, bashkë me bashkëshortin dhe djalin e saj të vogël.
Kjo ishte hera e dytë që njëri grup etnik e braktis plotësisht Karabakun prej rënies së Bashkimit Sovjetik. Kur forcat armene fituan luftën e parë midis dy palëve në vitet ‘90, e gjithë popullsia etnike azerbajxhanase u largua.
Në mesin e të larguarve ishin edhe Mammadova dhe familja e saj, fermerë nga fshati Khojaly – vendi ku ndodhi masakra më e madhe ndaj civilëve gjatë luftës së parë.
Një vit më vonë, Azerbajxhani po përpiqet t’i rindërtojë dhe rivendosë territoret që rimori. Mammadova, e cila prej viteve ‘90 ka jetuar në një vendbanim për personat e zhvendosur në Pirshagi, rreth 30 kilometra në veri të Bakusë, e vizitoi Khojalyn në një udhëtim të sponsorizuar nga Qeveria pas ofensivës së vitit të kaluar.
“Unë e imagjinova Khojalyn si një qytet fantazmash, ku fantazmat e njerëzve që ishin vrarë atje fluturonin në qiell. Ku, kudo që të gërmosh, kockat e njerëzve dalin në sipërfaqe”, tha ajo.
“Por, përshtypja ime nga vizita e parë ishte ndryshe dhe kryesisht pozitive. Shumë ndërtesa të reja janë ndërtuar vitin e fundit. Gjithçka ka ndryshuar”, shtoi ajo.
Mammadova shpreson të rikthehet vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, armenët që ikën nga Karabaku po përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre. Khachatrian dhe gjashtë anëtarët e familjes së saj të gjerë jetojnë në një periferi të largët të Jerevanit, në një banesë që nuk është rinovuar prej epokës sovjetike.
Ajo ka krijuar një përshtypje se Qeveria armene po përpiqet t’i bëjë njerëzit ta harrojnë Karabakun.
“Pas gjithë atyre ngjarjeve tragjike, në Armeni nuk u shpall as edhe një ditë zie. Nuk është shpallur asnjë ditë për përkujtimi apo festimi për Artsakhun”, tha ajo, duke përdorur një emër alternativ armen për Karabakun.
“Duket se po tentohet të mbyllet përfundimisht faqja për Republikën e Artsakhut.
Rindërtimi i Karabakut
Rajoni Autonom i Nagorno-Karabakut ishte pjesë e Azerbajxhanit Sovjetik, por rreth 75 për qind e popullsisë së këtij rajoni ishin armenë etnikë.
Teksa Bashkimi Sovjetik ra, lufta për këtë territor shpërtheu dhe separatistët e mbështetur nga armenët arritën ta merrnin kontrollin atë. Ata morën gjithashtu kontrollin e shtatë qarqeve ngjitur me Azerbajxhanin – të populluara pothuajse vetëm nga azerbajxhanasit etnikë – duke e detyruar të ikte të gjithë popullsinë prej më shumë se 600.000 banorësh.
Përpjekjet diplomatike për ta zgjidhur konfliktin sollën pak përparim. Azerbajxhani dhe Armenia bënë një luftë tjetër në vitin 2020, e cila zgjati gjashtë javë, para se Rusia ta ndërmjetësonte një armëpushimi, duke bërë që Armenia ta humbte kontrollin e disa pjesëve të rajonit dhe shtatë qarqeve ngjitur.
Të dy palët filluan negociatat për një zgjidhje përfundimtare të konfliktit, por në vitin 2023, Azerbajxhani, i cili humbi durimin me mungesën e përparimit të këtyre bisedimeve, filloi një ofensivë njëditore që rezultoi në dorëzimin e plotë të udhëheqjes së Karabakut dhe me eksodin e më shumë se 100.000 armenëve etnikë.
Rindërtimi nga Azerbajxhani i shtatë distrikteve jashtë Karabakut filloi në vitin 2020, por është komplikuar nga fakti se ish-qytetet dhe fshatrat ishin rrafshuar kryesisht prej viteve ‘90 dhe pjesa më e madhe e territorit ishte minuar.
Pjesët e Karabakut që Azerbajxhani i rimori në vitin 2023 ishin kryesisht ende të populluara, prandaj infrastruktura ishte kryesisht e paprekur dhe ka qenë e lehtë për Azerbajxhanin të ripërdorë atë gjatë vitit të kaluar.
Punëtorët kanë hequr mbishkrimet armene nga ndërtesat e ish-Universitetit Shtetëror të Artsakhut, duke e përgatitur për hapjen e Universitetit të ri të Karabakut. (Nën sundimin sovjetik, ai ishte Instituti Shtetëror Pedagogjik i Stepanakertit).
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e festoi shkatërrimin e atyre dy ndërtesave gjatë një vizite në mars për të shënuar festën e Nevruzit. “Nuk ka më asnjë gjurmë separatistësh këtu”, tha ai. “Zjarri i Nevruzit po bën pastrimin përfundimtar”.
Shkatërrime të tjera kanë ndodhur në fshehtësi më të madhe. Një kishë armene e shekullit XIX në qytetin Susa (i njohur për armenët si Shushi) është shkatërruar, sipas imazheve satelitore të ekzaminuara nga Caucasus Heritage Watch, një organizatë akademike që dokumenton fatin e trashëgimisë kulturore në rajon.
Gjithashtu, janë shkatërruar edhe vende të tjera të trashëgimisë armene, veçanërisht ato që kanë qenë pengesë për projektet ambicioze të Azerbajxhanit për ndërtimin e rrugëve, raporton organizata.
Megjithëse ndërtimet janë kryer shpejt, ripopullimi i Karabakut ka shkuar ngadalë.
Në fund të korrikut, rreth 8.000 ish-banorë ishin kthyer në territoret që Azerbajxhani i rimori prej vitit 2020 – pothuajse të gjithë ata në rrethet jashtë Nagorno-Karabakut – sipas të dhënave shtetërore të Azerbajxhanit.
Rreth 3.000 të tjerë janë zhvendosur në qytetin kryesor të rajonit, Xankendi, i njohur nga armenët si Stepanakert, për të punuar, përfshirë në Universitetin e Xankendit, i cili pritet të fillojë mësimin në semestrin e vjeshtës për 1.100 studentë të tjerë.
Një nga zonat e pakta të populluara më parë nga azerbajxhanasit, të rimarra nga Azerbajxhani në vitin 2023, ishte Khojaly, fshati i lindjes i Mammadovës. Deri në qershor, 50 familje janë kthyer dhe zyrtarët premtuan se deri në fund të vitit do të rikthehen 228 familje.
Procesi i rindërtimit është përballur me kritika për korrupsion, joefikasitet dhe dështim për t’i marrë parasysh dëshirat e banorëve. Aliyev vizitoi Khojalyn në maj për ta prezantuar me mburrje një kompleks të ri banesash shumëkatëshe. Por, ajo që Mammadova dëshiron është jeta e fshatit që e kishte dikur.
Djali i saj e vizitoi Khojalyn pak pas ofensivës së shtatorit 2023 dhe gjeti themelin e shtëpisë së tyre ende në këmbë. Por, kur familja u kthye për një vizitë tjetër disa muaj më vonë, ata gjetën një kantier ndërtimi në vendin ku kishte qenë shtëpia e tyre; vetëm disa pemë lajthie kishin mbetur.
“Nuk isha e lumtur me këtë dhe i kërkova Qeverisë të na e kthente oborrin tonë”, tha ajo. “Por, ata na thanë se qyteti po rindërtohej sipas planit të Qeverisë dhe mund të na jepnin një truall të një madhësie të ngjashme në çdo pjesë tjetër të Khojalyt”.
Ajo që autoritetet po ndërtojnë është “e bukur, por ata nuk po na lënë ta mbajmë qoftë një pulë”, tha ajo. “Ne nuk jetonim në Moskë, jetonim në Khojaly, në fshat.”
Ajo tregoi oborrin e saj në Pirshagi. “Shihni sa pula kam këtu, nuk paguaj për vezë. Pres një pulë dhe fëmijët e hanë mishin e saj. Ne duam të jetë njësoj atje, por nuk ka kushte për këtë”.
Jeta si refugjat
Në ditët pas ofensivës së vitit të kaluar, më shumë se 100.000 armenë u larguan për në Armeni. Derisa fluksi i refugjatëve përbënte rreth 4 për qind të popullsisë totale të Armenisë, ata u integruan relativisht lehtë, duke qëndruar me të afërmit, duke gjetur strehim me qira, ose duke qëndruar në akomodimet qeveritare për refugjatët.
Një vit më vonë, megjithatë, ka ende shumë pasiguri midis refugjatëve nga Karabaku për të ardhmen e tyre. Qeveria ka njoftuar se do t’i kufizojë ndihmat për qiratë që ka dhënë për refugjatët, duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm. Ajo gjithashtu ka nisur një program për t’u dhënë refugjatëve pagesa të njëhershme për t’i ndihmuar të blejnë shtëpi, por ky program është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut.
Khachatrian, e cila udhëheq një podkast mbi çështjet që lidhen me Nagorno-Karabakun, tha se familja e saj, për shembull, nuk do të ketë të drejtë të marrë asnjë para deri në fazën e tretë të programit, në vitin 2027.
“Njerëzit e kanë humbur plotësisht besimin [tek Qeveria] dhe janë pajtuar me faktin se kështu janë gjërat”, tha ajo. “Kjo, gjithashtu, do të thotë që njerëzit do të duhet të emigrojnë, sepse marrja me qira e një shtëpie diku në Tikhoretsk [në Rusi] do të jetë më lirë se në Armeni”.
Më shumë se 10.000 refugjatë nga Karabaku tashmë kanë braktisur Armeninë, shumë prej tyre kanë shkuar në Rusi. Megjithatë, Khachatrian ka ndër mend të qëndrojë në Armeni nëse mund t’ia dalë financiarisht.
“Ky është atdheu ynë, dhe është shumë më e lehtë të gjesh veten në mjedisin tënd gjuhësor dhe kulturor sesa në një vend të huaj”, tha ajo.
Refugjatët dhe shumë armenë të tjerë gjithashtu janë ndier të zhgënjyer nga mosinteresimi i dukshëm i Qeverisë për promovimin e të drejtave të armenëve të Karabakut për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Rusia, në deklaratat e tyre për zgjidhjen e konfliktit, të gjithë kanë përmendur të drejtat e armenëve për t’u kthyer në Karabak. Por, Qeveria armene vetë ka hedhur poshtë mundësinë për këtë dhe, në deklaratat e saj mbi këtë çështje, aludon se ajo është vetëm në agjendën e opozitës vendore.
“Të gjithë ata që po përpiqen t’i bindin njerëzit e Nagorno-Karabakut se ka mundësi për rikthim, janë aventurierë që përpiqen të krijojnë tension në Armeni… për të vënë një litar politik rreth qafës së Armenisë”, tha Artur Hovannisian, një deputet i partisë në pushtet, Civil Contract, në një intervistë për Shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë (REL).
Refuzimi i Qeverisë armene për ta njohur të drejtën e rikthimit të armenëve të Karabakut e ka nxitur Azerbajxhanin ta vazhdojë me shpejtësi të plotë rindërtimin e Karabakut, përfshirë zonat që ishin të banuara më parë nga armenët si, Xankendi, thotë Avokati i Popullit i ish-qeverisë së Karabakut, Gegham Stepanian.
“Ata e kanë mbyllur krejtësisht këtë temë, dhe nëse nuk do ta kishin bërë këtë, sot [azerbajxhanasit] nuk do të ishin duke u vendosur në Stepanakert me një ritëm kaq të shpejtë dhe duke marrë në zotërim shtëpitë e banorëve të Stepanakertit”, tha ai në një intervistë për faqen e lajmeve lokale Armenia Today.
Një e ardhme e pasigurt
Derisa Qeveria armene mund të përpiqet ta mbyllë temën, për refugjatët ajo vazhdon të jetë e hapur.
Në ditët e para pas eksodit, në mesin e disa refugjatëve u bisedua se, nëse kushtet në Armeni do të vazhdonin të ishin të vështira, ata mund të përpiqeshin të ktheheshin në Karabak, edhe nëse kjo do të thoshte t’i nënshtroheshin sundimit të Azerbajxhanit. Kjo bisedë tani ka pushuar.
“Unë nuk e njoh asnjë armen të vetëm që do të thoshte se është i gatshëm të jetojnë në Artsakh në ato kushte”, tha Khachatrian.
Megjithatë, ajo dhe armenë të tjerë shpresojnë se fati politik dhe ushtarak mund të ndryshojë përsëri në të ardhmen.
“Asnjëri nga ne nuk e di se çfarë të presim në të ardhmen, se cilat ndryshime geopolitike mund të ndodhin. Ndoshta gjërat do të ndryshojnë në një mënyrë që, ajo që duket e pamundur sot, mund të bëhet e mundur nesër”, tha ajo.
“Dhe, ndoshta një ditë Artsakhu do të bëhet përsëri armen. Të paktën kjo është ëndrra që kam dhe që ia bart fëmijës tim”.
Nga ana tjetër, Azerbajxhani i sheh ndjesitë e tilla si revanshiste dhe po përpiqet të shuajë çdo shkrumb të mbetur të ambicieve armene për të rimarrë Karabakun. Kjo përfshin ushtrimin e presionit mbi Armeninë për të ndryshuar Kushtetutën e saj, e cila ende përmban thirrje për “ribashkimin” e Armenisë me Karabakun.
Ndërkohë që Aliyev kishte thënë, para muajit shtator 2023, se banorët civilë armenë të Karabakut duhet të qëndronin, ato ndjenja tani nuk shprehen më: Aliyev tani e shmang me përpikëri çdo përmendje të popullsisë armene, përveç kur bëhet fjalë për liderët separatistë.
Edhe në mesin e azerbajxhanasve të rikthyer ka pak interesim për kthimin e ish-fqinjëve të tyre armenë.
Mammadova tha se, para luftës së parë, kishte shumë kontakte miqësore ndërmjet armenëve dhe azerbajxhanasve. “Por jo tani”, tha ajo. Burri i saj, Ramil, u vra në luftën e parë, në vitin 1992.
“Katër fëmijët e mi mbetën pa baba, ndërsa unë mbeta pa shtëpi”, tha ajo. “Si mund të jem mike me ta? Ndoshta koha do ta zgjidhë problemin. Nuk e di. Por, zemra ime nuk mund të shërohet”.