Në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK e ftuar ishte Magbule Hyseni, drejtoreshë ekzekutive e EcoKosWomen. Ajo theksoi se vetëm 49 për qind e grave janë të përfshira në bujqësi, mirëpo vetëm 4.6 % janë të formalizuara bizneset e tyre.

Hyseni tha se siluetat që do të vendosen në sheshin “Skënderbeu” nesër dhe do të vazhdojnë dy javë. Ato, sipas saj, do të vendosen me qëllim për të rritur mesazhet për rolin e pazëvendësueshëm të gruas në bujqësi e në shoqëri në përgjithësi.

Tutje ajo bëri me dije se kjo kampanjë nuk do të përqëndrohet vetëm në Prishtinë, por do të vazhdojë edhe në komunat e tjera si Pejë, Prizren, Mitrovicë, Podujevë, Ferizaj etj.

Hyseni tha se një prej mesazheve është “Blini produktet e grave”, me qëllim të fuqizimit të tyre. “Ne e shohim Prishtinën si një treg i madh për produkte të ndryshme, sidomos për promovimin e produkteve të grave apo prodhuar nga vetë gratë”, tha ajo.

Ajo theksoi se një fokus të veçantë do t’i japin edhe mesazhit për pronësi në tokë “sepse në përgjithësi jo vetëm në tokë bujqësore kemi  17 për qind të pronësisë në emër të grave, që është një numër shumë i vogël dhe që ka punë shumë për të bërë”.

“Tjetër, ne kemi nevojë që këto gra të organizohen apo të jenë të bashkuara në një union dhe, sipas informatave tona, vetëm 3 për qind të grave që merren me bujqësi janë pjesë e shoqatave të femrave. Qëllimi ynë është që përmes kësaj kampanje dhe këtyre mesazheve në rrjete ta ngrehim vetëdijen për gjithpërfshirje dhe barazi gjinore në kuadër të shoqërisë sonë”, tha ajo.