Shkruan: Gjon KEKA
Asnjë religjion nuk të bënë të mirë e të moralshëm, nëse nuk je NJERI i ndriçuar (iluminuar). T’i mësojmë brezat tanë se të jesh NJERI i ndriçuar (iluminuar) është më e rëndësishme se fetar.
Kosova është shtet laik, asnjë simbol i ideologjive fetare nuk duhet të lejohet as në shkolla, as në institucione shtetërore etj.
Nëse Kosova si shtet laik dëshiron ta ruajë imazhin e saj dhe traditat dardano-arbërore,duhet të mos ia vesh vetes edhe petkun e ideologjisë fetare aq më tepër të një ideologji që e solli pushtuesi otoman.
Ekzistojnë veshjet adekuate të shkollave, të cilat duhet t’i përmbahen të gjithë.
Siç dihet te ne feja nuk ka qenë përcaktues i identitetit tonë kombëtar, apo lidhja, por te ne ka qenë gjuha, flamuri, tradita dhe prejardhja e përbashkët që na ka bashkuar.
Prandaj ne nuk jemi popull fetar që e mbështesim veten tonë në ideologji fetare cilado qoftë ajo. Ne jemi popull që kemi mbështetur veten në rrënjët e paraardhësve të cilët nuk janë rrënjë fetare, por identitare etnike apo kombtëre.
Një ideologji e tillë e huaj nuk duhet të jetë dhe as nuk është pjesë e karakterit kombëtar te ne, për ne ajo është vetëm një ideologji fetare e pushtuesit otoman, por jo pjesë e karakterit përcaktues të kombit tonë.
Ideologjia fetare cilado qoftë ajo nuk është një pasqyrim i individualitetit tonë kombëtar, kombi ynë dhe ideologjitë fetare i kanë rrugët e ndara përgjatë historisë dhe kështu duhet të jetë edhe sot.
Nisur nga kjo ne nuk mund t’i mësojmë pasardhësit tanë,fëmijët se kjo botë,ky atdhe është asgjë,i pavlerë, i përkohshëm, i padobishëm, nuk kemi nevojë me bërë asgjë për të dhe as me lëvizë asnjë gjë për të mirën e këtij vendi, atdheu apo kombi,as për dritë e zhvillim, duke shpresuar për ndonjë parajsë të ardhshme qiellore. Ky është mashtrim i madh, kjo është injorancë e lartë, kjo në fakt i bënë fëmijët, pasardhësit parazitë, nuk ia jep mundësinë për ta dashur atdheun,kombin e vetë duke e bërë atë parajsë në tokë, ai duhet ta shoh botën vetë më sytë e tij, për ta parë se si bota ecën, zhvillohet dhe qytetërimi lartësohet e bëhet më i kompletuar.
Kjo e shkatërron që në fillim mendimin për ta dashur kombin e tij, atdheun e tij, për të punuar këtu në tokë dhe ecë në dritë e urtësi e dije, për ta parë atdheun si mundësin e madhe të tij për ta mbjellë parajsën aty në atdhe në komb, në shtet dhe jo diku në imagjinatën apo fantazinë e klerikëve e ideologjive fetare.
Sa gjenerata kanë ardhur e kanë shkuar, dhe sa do të vijnë në vijim, atëherë nëse i mësohet pasardhësve se kjo botë është e keqe,ky atdhe apo komb nuk ka vlerë nuk është asgjë, vetëm parajsa atje lartë ne qiell është e ardhmja,kjo është tmerr, sepse fëmija pasardhësi duhet të ndërtojë të ardhmen në tokë, duhet ta bëjë atdheun e tij,kombin e tij dhe shtetin e tij vend të sigurtë,të bukur e të zhvilluar dhe në majën e shkencës dhe zhvillimit për brezat e ardhshëm,e jo t’ia lë brezave të ardhshëm shkretëtirë dhe ata pas po atyre në vijim shkretëtirë e mjerim.
Ne nuk mund t’i themi fëmijëve tanë mendoni vetëm për atje lartë në parajsën qiellore, këtu në tokë s’keni çfarë mendoni, as nuk keni nevojë me lëvizë asnjë gurë, e asgjë për të mirën e përbashkët, të kombit, atdheut dhe shtetit, apo për ta bërë botën më të mirë së bashku me ata që duan të mirën e saj dhe paqen e lirinë.
Populli ynë duhet të aftësohet për ta dashur atdheun e tij, shtetin e tij, figurat e tij kombëtare themeltare, gjuhën e tij, flamurin e tij., etj.,, që në moshë të re përmes edukimit të arsyeshëm. Nëpërmjet edukimit të urtë, ai më pas aftësohet dhe përpiqet vazhdimisht me anë të sakrificave për të mirën e përbashkët kombëtare e humane.