Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan një fazë të re të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 (CRM 2.0), ndërsa vlerësuar punën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe partnerëve në përgatitjen e dokumentit, në Samitin që shënoi edhe 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, mbajtur sot në kryeqytetin gjerman.
Liderët gjithashtu nënshkruan Marrëveshjen për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranimin për Studim në Ballkanin Perëndimor, si dhe miratuan Deklaratën për Qasjen dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit, e po ashtu edhe Deklaratën mbi Standardet e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte Rajonale.
“Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot planin që do të respektojnë për 4 vitet e ardhshme – faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal është një plan për rritje të qëndrueshme. Ai është një kuadër unifikues i bashkëpunimit rajonal për mirëqenien e përbashkët ose interesat e përbashkëta në lojën globale. Në të gjitha fushat–digjitalizimi, tregtia, investimet, inovacioni, politikat e gjelbërta etj – që filluan të bëhen të dukshme gjatë fazës së parë të CRM, puna për integrimin ekonomik rajonal përmes planit CRM të nënshkruar sot, ankorohet fort në Planin e Rritjes së BE-së,” tha në Samit Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.
Bregu ka thënë se është lajm shumë i mirë që Kosova ka vendosur të heqë vizat në mënyrë të njëanshme ndaj qytetarëve të Bosnjës, duke dhënë kështu një shembull të lëvizjes pozitive drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit.
“Me kënaqësi kemi dëgjuar nga Kryeministri kosovar që Kosova në mënyrë unilaterale ka vendosur të heqë vizat për qytetarët e Bosnjës. Ky është një sinjal i mirë që duhet të lëvizë edhe vendimmarrja në Bosnjë, sa i përket zbatimit të njërës prej marrëveshjeve që është firmosur e nuk është zbatuar deri më tani. Procesi i Berlinit ka mbajtur gjallë frymën dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, kur zgjerimi ishte thuajse fjalë e ndaluar dhe shumë e dëshiruar”, ka thënë Bregu.
Liderët e Procesit të Berlinit pranuan rezultatet e arritura në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021 – 2024, si dhe rolin e RCC në lehtësimin e tij, duke përfshirë lirinë e lëvizjes me kartat e identitetit, njohjen e ndërsjellë të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale brenda rajonit, funksionimin plotësisht të Roaming si në Shtëpi brenda Ballkanit Perëndimor, reduktimin e tarifave të roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, avancimin drejt anëtarësimit në Zonën e Pagesave në Euro (SEPA), krijimin e Korridoreve të Gjelbër dhe reduktimin e kohës së pritjes, dhe duartrokitën përpjekjet e investuara në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ata theksuan nevojën për rritjen e bashkëpunimit rajonal përmes CRM 2.0.
“Pas 6 vjetësh të mandatit tim si Sekretare e Përgjithshme e RCC, mund të them se kurrë ky rajon nuk ka qenë kaq i lirë dhe kaq i vetëdijshëm siç është tani, për rëndësinë e bashkëpunimit. Të gjithë i detyrohemi procesit të integrimit në BE. Tregu i Përbashkët Rajonal është një mundësi e shkëlqyer, por ka një sfidë themelore: të kultivojë një vizion të përbashkët dhe një qëllim të qartë për të ardhmen tonë në Europë. Ndërsa punojmë për integrimin e tregjeve, ne gjithashtu kultivojmë një identitet të përbashkët europian, duke reduktuar joshjen e politikave izolacioniste dhe duke theksuar përfitimet e bashkëpunimit si forcë motivuese për përparim. Siç thotë dhe Jean Monet: “Ne nuk po formojmë një koalicion shtetesh, po bashkojmë njerëzit”’ përfundoi Bregu.
Marrëveshja për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Pranimin për Studim në Ballkanin Perëndimor e nënshkruar sot është një marrëveshje e re që synon të rrisë lëvizshmërinë e studentëve dhe t’u japë atyre të drejtën për të studiuar në institucione të akredituara të arsimit të lartë në rajon. Së bashku me marrëveshjet e mobilitetit të nënshkruara në Samitet e Procesit të Berlinit në 2022 dhe 2023, kjo marrëveshje do të rrisë më tej mundësitë për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor. Deklaratat mbi Qasjen dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit, dhe mbi Standardet e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte për Ballkanin Perëndimor, të miratuara sot, synojnë të promovojnë partneritetet e kërkimeve dhe inovacionit, të kultivojnë një ekosistem dinamik të inovacionit rajonal, si dhe të përshtatin politikën e investimeve me normat e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Liderët e Procesit të Berlinit mirëpritën rezultatet e Takimit të Parë Ministror mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), të organizuar nga RCC javën e kaluar në Hamburg. Ai takim rezultoi në miratimin e Deklaratës së Hamburgut mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor që rinovoi dhe forcoi angazhimin e Ballkanit Perëndimor për zbatimin e plotë dhe në kohë të GAWB dhe Planit të tij të Veprimit 2021-2030, zbatimi i të cilit po lehtësohet dhe monitorohet nga RCC, me vizionin për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. /Kosovatimes/