Policia njofton se pas angazhimeve operative dhe hetimore në terren në koordinim me institucionet kompetente, të hënën në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar për trafikim me substanca narkotike.

“Gjatë operacionit policor të koduar “007”, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro)”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Bëhet e ditur se lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.

Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një veturë me targa vendore, 1445 euro, 8970 dinarë, dy telefona celularë,dhe 17 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave, të konfiskuara nga Dogana e Kosovës.

Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’.