Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk mundet që Bashkimi Evropian në vend të Kosovës të propozojë draft për Asociacionin, sepse kjo sipas tij do të thotë që Bashkimi Evropian i grabitë një kompetencë shtetërore Kosovës.
“Mendoj që ky nuk është vetëm kushtëzim, mendoj që gjithkush që mendon se propozimi franko- gjerman është një dokument përfundimtar, që për Kosovën është mere ose leje, i bie që Kosovës i është marr një ingerencë shumë e rëndësishme shtetërore”, tha Konjufca para gazetarëve pas takimit të Kryesisë së Kuvendit.
Kreu i Kuvendit tha se është në kompetencë të Kosovës që vetë ta propozojë draftin për Asociacionin.
“Kompetencë e Kosovës është që vetë ta propozojë draftin. Nuk mundet në vend të Kosovës të propozojë Bashkimi Evropian draftin për Asociacionin. Kjo i bie që Bashkimi Evropian grabitë një kompetencë shtetërore Kosovës”, shtoi ai.
Sipas kryekuvendarit BE-ja mund të kritikojë Kosovën për vonesa, por afat preciz se deri Kosova duhet ta paraqiste këtë dokument nuk ka pasur.
“Me ia imponuar Kosovës në këtë mënyrë, t’i thuhet ky është dokumenti vetëm, 20 faqesh, vetëm ky duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, unë mendoj që jo vetëm që nuk është fer ndaj Kosovës, por një qasje shumë diskriminuese e BE-së që Kosovën e trajton si jo shtet. Prandaj, Kosova duhet ta mbrojë të drejtën e saj deri në fund. E drejta e vetë është të ulet me BE-në e ta qartësojë deri në fund kush e ka këtë kompetencë, Kosova apo BE-ja. Unë mendoj që e ka Kosova. A jemi vonuar, a nuk jemi vonuar. Ne ashtu kështu jemi në masa të BE-së dhe mjafton kjo të paguajmë çmimin e vonesës, por vonesa nuk mund të na i marr kompetencat neve”, theksoi Konjufca.
Sipas Konjufcës, BE-ja nuk mundet ta vendosë Kosovën para aktit të kryer e të thotë ‘këtë e kemi shkruar ne, këtë shko dërgoje’.
“Ky nuk është versioni i Kosovës, është version i BE-së. Versioni i BE-së mund të jetë version konsultativ që ne e marrim e mund të marrim klauzola të caktuara, që për ne mund të jenë të arsyeshme. Unë jam kundër kësaj dhe do ta quaja këtë qasje diskriminuese të BE-së dhe mohim të shtetësisë së Kosovës”, nënvizoi Konjufca.
Konjufca: Për Serbinë Marrëveshja e Ohrit e ka emrin veç Asociacion
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se nuk pret që të ketë masa shtesë ndaj Kosovës me mos ecjen para të kërkesës së BE-së për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Mua nuk më duket se do të ketë masa shtesë, por çështja është si t’i heqim ato ekzistuese që i kemi. Kur jemi këtu janë shtuar edhe zëra brenda BE-së që ato masa duhet të hiqen sepse nuk ishin fare produktive në relacion me Kosovën. Masat i kemi tash e një kohë, por rezultatet janë që ne ndodhemi me fjalë të tjera në situatën kur Serbia e ka hedhur poshtë faktikisht marrëveshjen e Ohrit që e konsideron si një tavolinë ku mund të zgjedhë çka të dojë e t’i refuzojë ato pika që janë në favor të interesit të Republikës së Kosovës. Për Serbinë marrëveshje e Ohrit e ka emrin veç Asociacion i Komunave dhe nuk do të zbatojë pika tjera, këtë e ka bërë të ditur letra e Bërnabiqit drejtuar BE-së. Prej atij momenti që është moment politik e deri të sulmi në Banjskë këto ia kanë shpallur vdekjen marrëveshjes së Ohrit. Tash çka është faji i Kosovës këtu. Pse të kemi masa ne? Serbia edhe me veprime politike edhe veprime konkrete të mbështetjes së grupit terrorist të Radoiçiqit na ka dëshmuar që ajo nuk e respekton më Marrëveshjen e Ohrit”, tha Konjufca.