Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, nga i cili pranoi “Raportin për Kosovën 2024” nga Komisioni Evropian. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, theksohet se ky raport vlerëson përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ka falënderuar Ambasadorin Orav për raportin dhe ka theksuar angazhimin e Qeverisë për të çuar përpara reformat që janë thelbësore për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Në pikat e tij kryesore, Raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave si një hap që pritet të përmirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Ai vlerëson përkushtimin e Kosovës për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Në raportin e këtij viti gjithashtu vlerësohet angazhimi aktiv i Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes, Agjendën e reformave si dhe angazhimin në promovimin e bashkëpunimit rajonal në zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA me marrëveshje të reja që forcojnë tregtinë dhe lidhjet ekonomike brenda rajonit. Forcimi i kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen gjithashtu pozitivisht si prioritet i qeverisë për një shtet të së drejtës”, theksohet tutje në njoftim.

Bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka mirëpritur rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në rrugën e reformave.

“Integrimi i plotë i Kosovës në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe angazhimi në reforma është në interes të qytetarëve për progress të gjithmbarshëm demokratik dhe socio-ekonomik” ka deklaruar Kurti.