Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas dorëzimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, ka kërkuar sërish nga Bashkimi Evropian heqjen e masave ndaj Kosovës.
Pas takimit me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, Bislimi tha se raporti vetëm në dy kapituj evidenton mungesën e progresit. Ndërsa, ka nënvizuar se në agjendën e integrimit evropian Kosova është vlerësuar për prioritizimin politik që i është bërë këtij procesi.
Bislimi: Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve të KE-së
“Raporti e përgëzon Kosovën për politikën e saj të jashtme ndaj luftës në Ukrainë, për vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje të plotë me ato të BE-së, si dhe për progresin e shënuar në përafrimin e politikes së vizave me atë të BE-së…7:16 Ne e mirëpresim vlerësimin e progresit nga Komisioni Evropian, por edhe më shumë i mirëpresim rekomandimet e këtij raporti, të cilat do të merren seriozisht për periudhën e ardhshme. Implementimi i rekomandimeve është i rëndësishëm për ne, edhe drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të vendin tonë. Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve dhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi. Ne i karakterizojmë ato si të padrejta, sepse së pari është rekomanduar largimi i tyre dhe pavarësisht prapë qëndrojnë në fuqi, dhe së dyti i konsiderojmë si në kundërshtim edhe me vetë parimet e BE-së duke dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e BE-së ndaj qytetarëve tanë. Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe presim që Këshilli të marr vendim shpejt për heqjen e tyre. Tani është koha që edhe BE të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të saj… Kosova nuk ka dhe nuk kërkon alternativë tjetër dhe është e vendosur në rrugëtimin drejt BE-së”, tha Bislimi.
Bislimi ka përmendur edhe progresin e renditur në raport, për çfarë ka theksuar se raporti vetëm në dy prej kapitujve evidenton për mungesë progresi, në secilën prej kapitujve tjerë thotë se ka pak progres ose ka progres të mirë
Bislimi: Te blloku i kritereve politike, raporti nxjerr në pah arritje kyçe në sistemin e drejtësisë
“Te blloku i kritereve politike, raporti nxjerr në pah arritje kyçe në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e barazisë gjinore. Për përpjekjet kundër korrupsionit është nënvizuar themelimi i njësisë speciale hetimore në PK dhe Ligji për prokurorinë speciale. Këto politika kanë forcuar transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes. Ndërkaq avancimet në fushën e barazisë gjinore, si buxhetimi me ndjeshmëri gjinore dhe përfaqësimi i shtuar i grave në nivelin komunal dëshmojnë angazhimin e Qeverisë për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe të drejtë…Te blloku i kritereve ekonomike, raporti vlerëson se Kosova ka shënuar rritje te fortë ekonomike, duke dëshmuar qëndrueshmëri përballë sfidave të jashtme, si inflacioni global por edhe recesioni ekonomik… 20:26 Raporti vetëm në dy prej kapitujve regjistron që s’ka progres, në secilën prej kapitujve tjerë thotë se ka pak progres ose ka progres të mirë, vetëm në dy nga gjithë kapitujt thotë se nuk ka progres, ligji për kompanitë dhe peshkatarisë”, tha Bislimi.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Aivo Orav, ka thënë se ka progres të kufizuar në fushat të cilat do t’i mundësonin Kosovës t’i bëjë ballë presionit të konkurrueshmërisë në BE, sa i përket krahut të punës, investimeve në sektorin privat dhe arsim.