Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.
“Po u përfol, u përfol nëpër media edhe me rujt kredibilitetin e përjashtova”, ka deklaruar ai.
Sipas kryeprokurorit Gashi, përjashtimin e prokurores e ka bërë ex-officio edhe sipas kërkesë se palëve.
Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.
“Po u përfol, u përfol nëpër media edhe me rujt kredibilitetin e përjashtova”, ka deklaruar ai.
Sipas kryeprokurorit Gashi, përjashtimin e prokurores e ka bërë ex-officio edhe sipas kërkesë se palëve.
“Edhe kërkesa e palës edhe unë sipas detyrës zyrtare pa kërkesë. Ta ruajmë kredibilitetin dhe mos të duket që po dalim të njëanshëm, në asnjë mënyrë s’kam me leju, në asnjë mënyrë me u cenua rëndë autoriteti i Prokurorisë, pavarësisht tentativave që bëjnë njerëzit unë kam me u mundu me ruajt”, u shpreh ai.
I pyetu nëse kanë gjetur elemente për të dërguar prokuroren në procedurë disiplinore, Gashi ka pyetur se pse është tendenca për ndëshkimin e prokurores.
“Është procedurë e brendshme ajo, shumë interne. Ajo është përjashtuar edhe u kry puna mo”, ka shtuar ai.
Në vend të prokurores Salihu, tashme në këtë rast është caktuar Prokurori Kushtrim Zeka.
“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një koment nga prokurorja Salihu se si e vlerëson përjashtimin e saj nga ky rast, por ajo nuk është përgjigjur.
Edhe palët e dëmtuara Nexhat dhe Gusel Sadiku, kishin kërkuar përjashtimin e prokurores bazuar në hulumtimin që “Betimi për Drejtësi”, ka transmetuar më 26 tetor 2024.
“Janë shfaqur prova materiale se Prokurorja Nebahate Salihu, kishte lidhje shoqërore me noterën e dyshuar për parcelën 1743, Valdete Ademi dhe bashkëshorten e të dyshuarit kryesor Afrim Gashi që është duke e hetuar në lëndën PP.II.4829/2022, ku e njëjta në bazë transmetimit të komenteve nga rrjeti social Facebook, nga llogaria e saj personale e quajtur Nebahate Salihu, kishte shprehur dashuri në foton të cilën gjendet bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashi një buqet me lule ne shenjë respeki dhe dashurije”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e kërkesës.
Prona milionëshe në Veternik dyshohet se është fituar përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, për çka po hetohen Ylber Hysenaj dhe Afrim Gashi.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” tregon se si po hetohet edhe noteria Valdete Ademi që kishte noterizuar këto dokumente, e cila shihet se ka shoqëri me gruan e të dyshuarit Afrim Gashi, Melihate Gashin. Për Gashin Njësia e Inteligjencës Financiare kishte rekomanduar Policisë që të hetohej për transaksione të dyshimta dhe evazion fiskal.
Në një foto ku noteria dhe Melihate Gashi shihen në shoqërimin e njëra-tjetrës, prokuroja që ka mbyllur rastin Nebahate Salihu, kishte komentuar duke i dërguar një “lule të madhe”.
Në hulumtim tregohet se si prokurorja Nebahate Salihu mbylli hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik, e cila dyshohet se u fitua përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, bazuar në zarfin e dërguar përmes postës DHL nga Beogradi në Prishtinë, në të cilin kinse gjendej historiati i pronës 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.
Por e vërteta qëndronte ndryshe, në një përgjigje me shkrim, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.
“Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.
Tutje, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo padyshim nuk është përmes Postës “DHL”.
Por, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes Postes.
“Është për çudi qe ia falin besimin një dokumentit që vjen në mënyrë private në një rast ku dyshohet se është kryer një vepër penale e falsifikimit”, kishte thënë Saranda Keqekolla-Sadiku, avokate e palëve të dëmtuara.
Kjo pronë ishte fituar në Gjykatë nga Zojë Hyseni për nëntë muaj, e cila kishte vdekur gjatë procedurave gjyqësore, në moshën 84-vjeçare, ndërsa si trashëgimtar i vetëm ishte paraqitur Ylber Hyseni. Kurse për shtatë vite nuk ishte trajtuar padia e familjes Sadiku.
Në aktgjykimin për fitimin e pronësisë thuhej se, dokumentet origjinale të pronës gjendeshin në arkivat përkatës të Prishtinës. Por, e vërteta nuk qëndronte ashtu, dokumentet nuk ishin gjetur në arkiva, kështu Prokuroria kishte kërkuar bashkëpunimin ndërkombëtar me Serbinë.
Në kërkesën e drejtuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar policor ILECU, kishte marrë përgjigje se dokumentet e kërkuara nuk gjendeshin në arkivat e tyre. Kështu, edhe në përgjigjen e dërguar nga drejtori i arkivës në Serbi për “Betimi për Drejtësi”, ata kanë thënë se për këtë kërkesë janë përgjigjur përmes EULEX-it, duke treguar se nuk posedonin ato dokumente.
Prokurorja Salihu, këtë përgjigje zyrtare nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.
Prokurorja Salihu kishte refuzuar të përgjigjet se pse kishte mbyllur hetimet për këtë rast bazuar në një zarf.
“Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, kishte thënë prokurorja Salihu.
Ndryshe, djali i Nexhat Sadikut, Ergyn Sadiku, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja se po hasin në pengesa për të zbardhur ketë rast është se mbrapa të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm.
“Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, kishte thënë Ergyn Sadiku.
Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, ka kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.
Pas hulumtimit, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu6 duke thënë se ky rast është shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Kosovë.
Për këtë rast ishte zhvilluar një hulumtim dhe diskutuar edhe në “Tempus” më 13 shtator 2022 për t’u zhvilluar më pas hap pas hapi hulumtimi i rastit.
Më prill 2024, kishte zhvilluar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar gjersa dëmi po rritet.