Pas konferencës për medie, Gërvalla e Bettel para gazetarëve folën për bashkëpunimin mes të dyja vendeve, duke shprehur po ashtu vullnetin për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Luksemburgut.
Gërvalla tha se partnerët e Be-së duhet të marrin seriozisht kërcënimin e Serbisë e Rusisë, për destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
“Vizita e zv.kryeministrit Bettel, është dëshmi e qartë e bashkëpunimit tonë, përurimi i ri i ambasadës së Luxemburgut në Prishtinë, me peshë të veçantë në këto kohëra sfiduese për rajonin dhe Evropën. Kjo vizitë sjell edhe një marrëveshje që do të ndihmoj sektorin privat në Kosovë. Partnerët e Be-së duhet të marrin seriozisht kërcënimet e Rusisë e Serbisë, gjitha veprimet që po bënë për ta destabilizuar Kosovën dhe vendet e tjera në Ballkan”, tha ajo.
Gërvalla foli edhe për bashkëpunimin me Luksemburgun në aspektin ekonomik. “Kosova po ecë me hapa të shpejtë dhe të fuqishëm në zhvillimin ekonomik, Luksemburgu është dhe ka qenë partner kyç, por edhe në rrugën tonë drejtë anëtarësimit në Be dhe NATO. Shpresojmë të mësojmë më shumë nga përvoja e Luksemburgut që është ndër shtetet themeluese të BE-së”.
Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Luksemburgut, Xavier Bettel, vlerësoi gjithë arritjet që ka bërë Kosova këto vite dhe u shpreh i entuziazmuar me vizitën e tij të dytë në Prishtinë dhe tha se po sjellin 25 milionë euro investime.
“Jam këtu që për ta ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme dhe do të jenë rreth 25 milionë euro investime që do të këto projekte kreative e në sektorë të IT-së, sepse është e rëndësishme për situatën tuaj ekonomike”, tha ai. Ai tha se duhet bërë çdo gjë për të shmangur luftërat.
“Nuk është vizita ime e parë, kam qenë edhe më herët, dhe ne kemi dashur të japim një impuls në zhvillimin e Kosovës, ju po ashtu s’mund të zgjedhin fqinjët tuaj, por ne mund ta ndërtojmë bashkë të ardhmen, dhe ne duam që ju po ashtu të jetoni në paqe dhe në prosperitet, unë nuk e kam përjetuar luftën, edhe të rinjtë të tjerë jo, por prindërit tanë e kanë përjetuar luftën, dhe ne duhet të punojmë për shmangie të luftës, pra të gjejmë rrugën drejt prosperitetit. Ne ndajmë të njëjtat vlera, ndajmë të njëjtin kontinent, prandaj edhe jam këtu, sepse së bashku është e mundshme të ndërtojmë diçka të qëndrueshme.
Bettel foli edhe për raportet Kosovë-Serbi. “Një vizitë në Kosovë nuk do të thotë një vizitë kundër Serbisë dhe një vizitë në këtë të fundit nuk është kundër Kosovës, nëse duam dialog, duhet kontakt me të dyja vendet, situata është se disa kushte ende nuk janë përmbushur ,jam i sigurt se do të ketë një zgjidhje, jam këtu t’ju them se nuk do të nënshkruaja marrëveshje sot këtu, sikur të mendoja se diçka mund të shkoj gabim, dhe unë them se është e rëndësishme të investojmë këtu”, tha ai.