Familjarë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë vendosën kurora me lule tek varri i Astrit Deharit, ndërsa mos-zbardhjen e vrasjes së tij e konsiderojnë goditje për studentët, për lëvizjen dhe mbarë rininë shqiptare. “Katër prokuror e kishin rastin e mbytjes në burgun e Prizrenit të Astrit Deharit. Ata dolën në pension pa e kryer punën. Tash është prokurori i pestë i cili e ka marrë rastin”, tha kryeministri Albin Kurti.

Ai shtoi se qeveria është e gatshme që ta ndihmojë me krejt potencialin Prokurorinë e Shtetit për të sjellë drejtësi për Astrit Deharin dhe për familjen e tij.

Ndërkaq babai i Astritit, Avni Dehari, tha se rasti i Astrit Deharit tash e tetë vjet po keqtrajtohet nga gjyqësia e Kosovës.

“Tetë vjet një njeri që e ka humbur jetën në një institucion të Kosovës të mos zbardhet e vërteta për të flet vet, sepse ata që kanë bërë krimin ndaj Astritit dhe ndaj drejtësisë në përgjithësi edhe sot e kësaj dite mundohen t’i fshehin gjurmët e tyre”, u shpreh ai.

Mos-zbardhja e vrasjes, jo vetëm për Astritin, sipas Avni Deharit, gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel dhe Kosova nuk e meriton një gjyqësi të tillë.