Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dëshmon për të katrën ditë, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ish-komandati i UÇK-së, Shukri Buja gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Kadri Veseli kur ishte në pozitën e shefit të Zbulim-Kundërzbulimit në i ka dhënë urdhra atij ose personit përgjegjës për këtë sektor në Zonën Operative të Nerodimes.
“Jo s’me ka dhanë urdhër”, ka thënë Buja duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.
Buja për Ilmi Reçica ka thënë se ka qenë në kuadër të komandës së Nerodimes dhe s’ka pasur se si të merr urdhra nga Veseli.
“Jo se Reçica ka qenë në kuadër të Komandës së Zonës Operative të Noredimes”, ka deklaruar Buja.
Përpara kësaj, Buja ka thënë se Reçicën në këtë pozitë e kishte emëruar vetë ai. Buja ka deklaruar se qëndron fakti se ai e ka thirr në telefon Reçicën për ta njoftuar se është emëruar në këtë pozitë pasi që ai ishte jashtë vendit, konkretisht në Shqipëri.
Në ditën e katër të dëshmisë së tij, Buja ka thënë se Reçica e mori detyrën në janar të 99-ës dhe se kishte shumë pak burime për ta ushtruar atë detyrë dhe se për tre muaj vetëm ai ka qenë në atë sektor.
Dëshmitari u pyet se Reçica a ia raportonte atij informacionet që mblidhte gjatë ushtrimit të detyrës.
“Në një periudhë më të vonë, po. Mund të jetë pas shkurtit sepse në atë kohë është konsolidu më mirë sektori i Zbulim-Kundërzbulimit”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së.
Buja ka deklaruar se shumica e raportimeve ishin gojarisht por që ka pas raste kur ka raportuar edhe me shkrim në rast që ka pas lëvizje të mëdha të forcave serbe.
Në fillim të seancës, trupi gjykues mori disa urdhra duke përfshirë pranimin dhe rrëzimin e disa kërkesave për pranueshmërinë e provave materiale.
Ndonëse dje kishte diskutime për besueshmërinë e dëshmitarit dhe konstatimet e turpeve të tjera gjykuese lidhur me deklaratat e mëhershme të tij, kryegjyqtari tha se përgjegjësia e vlerësimit i mbetet këtij Trupi Gjykues.