Një person dyshohet se është vrarë sot në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur në orën 13:52, ndërsa vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi nga emergjenca e spitalit të Gjilanit.
“Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit” në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit, të cilët kanë konstatuar se viktima është pa shenja jete”, ka thënë Hashani.
Ai tha se nga hetimet e para dyshohet se viktima, shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987, është qëlluar nga armë zjarri.
Hashani tutje bëri të ditur se në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.
Ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.