Ministri i Jashtëm i Holandës, ministria e të cilit mbikëqyr kufizimet e eksportit për kompaninë kryesore të pajisjeve kompjuterike ASML, tha të hënën se tregtia Kinë-Rusi po ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë evropiane.
NATO-ja e konsideron Kinën si një ndihmë vendimtare për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, duke patur parasysh se firmat kineze po shesin mallra që përfundojnë si komponentë në armatimet ruse, përfshirë dronët, tha Caspar Veldkamp përpara një takimi me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel.
“E ngrita këtë dy herë me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi dhe mendoj se si evropianë ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë, sepse kjo është diçka që Kina duhet ta kuptojë: po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë evropiane”, tha zoti Veldkamp.
Në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, qeveria holandeze ka vendosur një sërë kufizimesh gjithnjë e më të rrepta për eksportet, duke ia ndaluar kompanisë ASML të ndajë teknologjinë e saj më të avancuar me kompanitë kineze të prodhimit të mikroqarqeve.
Kompania ASML dominon tregun për mjetet e litografisë, të cilat janë thelbësore për prodhimin e gjysmëpërçuesve kompjuterikë.
Pavarësisht kufizimeve, Kina vazhdon të jetë tregu më i madh për ASML-në dhe prodhuesit e tjerë kryesorë të pajisjeve amerikane dhe japoneze, pasi firmat kineze po zgjerojnë kapacitetet për të prodhuar mikroprocesorë të teknologjisë më të vjetër, që nuk mbulohen nga kufizimet, por që vazhdojnë të jenë të përshtatshëm për shumë qëllime ushtarake.
Shitjet e prodhimeve të kompanisë ASML për firmat kineze arritën një rekord prej 2.94 miliardë dollarësh në tremujorin e tretë, megjithëse kompania parashikon të ketë një rënie gjatë vitit 2025.
Ministri holandez Veldkamp tha se do të diskutonte me ministrat e tjerë të jashtëm të BE-së të hënën, se çfarë duhet bërë në lidhje me mbështetjen kineze për Rusinë.
“Po diskutojmë të gjitha aspektet në lidhje me ndihmën e vendeve të tjera për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, qoftë nga Irani, Koreja e Veriut, apo Kina”, tha ai.