Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut sot mbajtën mbledhje të përbashkët në Prishtinë. Për nismën e dy qeverive, profesori universitar Bashkim Selmani tha se kjo është një situatë e re në aspektin diplomatiko-politik.
Ai tha kjo nismë se mund të vëzhgohet në tri aspekte.
“E para është aspekti historik, relacionet si kanë qenë dhe si do të duhet të ngriten në të ardhmen, e dyta është aspekti politiko-diplomatik dhe e treta pritshmëria nga çdo marrëveshje”, tha Selmani në një intervistë për RTK-në.
Sipas tij, dinakëria maqedonase gjithmonë është përballur me aspektin e kodeksit etik për marrëveshje e nënshkrime.
“Mirëpo nga ana tjetër kur shohim në realizimin e tyre janë pak apo aspak, dhe këtu është problemi i qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës e cila në kontunitet paraqet shumë vështirësi, duke filluar nga lëvizja e lirë e qytetarëve, ku për çdo ditë kemi pritje, stërngarkime të rrugëve, po ashtu edhe infrastruktura për arsye se e vetmja rrugë që nuk plotëson asnjë standard është rruga Prishtinë-Shkup dhe përbën një nga vështirësitë më të larta të qytetarëve, dhe nuk e di a është diskutuar ky problem”, tha Selmani.
Tuje ai shtoi se sa i përket funksionimit të kësaj nisme, Kosova do të duhej të jetë më e vëmendshme, për sa i përket ekstradimit, arsimit dhe energjetikës.
Por sipas Selmanit, në pjesën bazë nuk shihet ndonjë hap konkret për rolin dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që sipas tij përben një nga mënyrat më të ngurta për sa i përket komunikimit, për arsye se siç theksoi ai Maqedonia e Veriut insiston që të sillet mirë në aspektin diplomatik dhe politik me Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë mirëpo nga ana tjetër i godet shqiptarët në vazhdimësi.
Sa i përket nënshkrimit të memorandumit për pikat e përbashkëta kufitare, Selmani tha se nuk është insistimi i Maqedonisë por janë raportet ndërkombëtare që sigurojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Ai u shpreh se Maqedonia gjithmonë ka përfituar dhe përfiton nga Kosova si në aspektin ekonomik dhe në aspekte të tjera, mirëpo paralelisht Kosova nuk ka përfituar nga çështjet ekonomike dhe kjo do të ishte e mirëseardhur dhe e mirëpritur nga qytetarët.
Selmani theksoi se Maqedonia e ka Kosovën si një treg të hapur dhe përfiton shumë dhe se në anën tjetër nuk e ka prioritet rregullimin e rrugëve që lidhen me Kosovën.
“Shqiptarët dhe Kosova atë që e kanë nënshkruar e realizon, mirëpo nuk has në një mirëkuptim edhe praktik në terren, sepse Maqedonia luan një rol të dyfishtë si për shembull bashkëpunimin me Serbinë për rrugët, po ashtu edhe me Greqinë dhe kjo pjesë nuk do ta ndryshojë mentalitetin e Maqedonisë sepse vetë sjellja e saj më Shqipërinë dhe me Kosovën flet, edhe sjellja me shoqërinë shqiptare brenda shtetit dhe këtu është jo sinqeriteti dhe jo realiteti i politikës së kësaj qeverie po edhe qeverive të kaluara. Asnjëherë nuk kanë pasur një qëndrim siç ka pasur Kosova me Maqedoninë, por shpresojmë se këto nxitje dhe këto bashkëpunime që bëhen, të bëhen më detyrime të përbashkët nga Bashkimi Evropian”, tha Selmani.