Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Më kujtohet kur në komuna të Kosovës politika i fuste duart thellë në arsim, shëndetësi dhe sport. Filan anëtari i kësaj partie bëhet drejtor i shkollës x. E tjetri drejtor i spitalit. Kështu në shumë raste politika i futë duart dhe gjithçka që ka thellë në të gjitha poret e jetës.
Kemi parë disa herë se si politika nuk e kupton ndarjen e nevojshme të saj me segmentet tjera të shoqërisë. Ata as nuk e bëjnë ndarjen e administratës publike me qeverinë (që dallojnë!). Kështu krijohen lidhje e shkurtra. E pastaj, në këtë vend të vogël, klientelizmi, favorizimet e gjithçka bëhen normë. E keni parë rastin me RTK dhe KEK gjithashtu. Edhe me grante së fundmi.
Në parim, nuk ka të keqe që partitë me synua me i bë ‘për vete’ dhe me fitua përkrahje nga figura të famshëm. Një person i famshëm mundet me përkrahë një parti apo lider politik, me miratua. Por ‘posedimi’ i tyre apo futja e tyre në politikë, apo futja e politikës në jetën e tyre është bizare. Një tentim nga politika me pas nën kontroll gjithçka në shtet e shoqëri.
Edhe këtu anëtarësime e ‘okupime’ të sportistëve e këngëtarëve nuk janë të hairit. Ato nuk po bëhen për një vlerë të shtuar, por me krijua më shumë vota për partitë. Por në këtë proces, ne po humbasim shumë, se politika po futet thellë në gjithçka që po e shef si të famshme apo mjet për më shumë vota.
E tash shtrohet pyetja, a duhet edhe me religjion me flirtua politika? Nëse me sportistë është e pranueshme, pse nuk është me një hoxhë apo klerik të famshëm? Ka shumë arsye të forta pse politika duhet të ndahet nga shumë segmente tjera, përfshi nga klerikët dhe institucionet religjioze. Nga arsimi e shëndetësia. Nga sporti e arti e kultura.
Futja e politikës në këto fusha është ogur zi vetëm për interesa të ngushta dhe politika po na tregon sa e pamëshirshme është për gjithçka që i del përpara. E pse? Vetëm me i futu disa vota më shumë… por duke e rrezikuar të ardhmen mbase.