“Kapiten ikonik të Shqipërisë” e ka quajtur kryeministri Albin Kurti, futbollistin, Lorik Cana. Kreu qeveritar teksa ka ndarë një fotografi bashkë me ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, ka shkruar se ai po vazhdon punët e mira për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare.
“Me Lorikun herën e fundit u patëm takuar këtë verë gjatë Kampionatit Evropian të futbollit në Gjermani, në mbështetje të kombëtares shqiptare. Para pak ditësh, në Tiranë ai shfaqi dokumentarin për arbëreshët e Italisë. Shkëlqimi i tij në fushën e gjelbër si kapiteni ikonik i Shqipërisë, vazhdon me punët e mira që Loriku bën për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare”, ka shkruar tutje kryeministri.
Takimi i sotëm mes tyre, sipas kryeministrit ishte për të diskutuar mbi punët e mira që po bëhen në sport.
“Në veçanti, vlerësuam rëndësinë e masivizimit të sportit e aktivitetit fizik, për t’i bërë pjesë të kulturës së përgjithshme të shoqërisë. Përherë kënaqësi biseda me Lorik Canën, djaloshin nga Gjakova që ka meritë të madhe në mirëmbajtjen e frymës së atdhedashurisë”, shkroi kreu qeveritar.