Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, morën pjesë sot në përurimin e nisjes së punimeve të projektit për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes Radoni-Dukagjin. Projekti ka vlerë 9.15 milionë euro edhe është i financuar nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga Banka Botërore.
Me këtë rast, kryeministri Kurti, ka theksuar se ‘ky projekt është dëshmi e rezultat i raportit të shëndoshë me partnerë tanë pasi që vetëm gjatë qeverisjes sonë, në sektorin e bujqësisë vlera e mbështetjes nga partneritetet ndërkombëtare është 51 milionë euro’.
“Të investosh në rehabilitim dhe modernizim të strukturave të ujitjes do të thotë që 11,750 hektarëve të tokës bujqësore t’ua mundësosh rritjen e efikasitetit të menaxhimit të ujit. Njëherit përmes këtij projekti do të funksionalizohet sistemi i ujitjes Dukagjini, i cili aktualisht është jashtë përdorimit”, u shpreh kryeministri.
Qeveria ka njoftuar se Kurti, ka theksuar se në buxhetin e vitit 2025 që u miratua në Kuvend javën që shkoi, për fushën e bujqësisë janë paraparë 90 milionë euro, e që së bashku me projektet e financuara nga partner ndërkombëtarë kjo shifër e tejkalon vlerën e 100 milionë eurove. Ky është viti i dytë me radhë që bujqësia do të ketë buxhet vjetor mbi 100 milionë euro.
E krahas buxhetit meritor për bujqësinë, sipas njoftimit, kryeministri veçoi se për bujqit dhe fermerët i kemi thjeshtësuar procedurat burokratike në procesin e aplikimit për programet mbështetëse, dhe si rezultat kemi bujq e fermerë të lumtur e të kënaqur, dhe falë punës së tyre e mbështetjes sonë vitin e kaluar sipërfaqja e përgjithshme e tokës së punuar është rritur për afër 50% në krahasim me vitin 2019, viti i parë parapandemik.
Shefi për Bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Johannes Madsenn Steinbaek, duke folur në emër të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se ky projekt është i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian, sepse i përgjigjet disa prej sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet sektori i bujqësisë në Kosovës, thuhet në njoftim.