Tre ditë pasi ka marrë edhe zyrtarisht detyrën, Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ish-kryeministër i Portugalisë, të martën më 3 dhjetor, do të takojë ndaras gjashtë liderët vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pastaj të gjithë së bashku në një darkë pune. Kosova në takim do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Fillimisht, Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa në orën 16:00 do të takohet me kryeministrin Edi Rama, në 17:00 me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, në 17:30 me presidenten e Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, pastaj në orën 18:00 me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe në orën 19:00 me kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti. Pas takimeve të ndara, në orën 20:00, Costa do të shtrojë darkë pune me të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor. Në agjendën e takimeve të ndara, të cilën e ka parë Radio Kosova, nuk figuron takimi me përfaqësuesin e Malit të Zi.

Radio Kosova merr vesh se gjatë takimeve të ndara dhe darkën e punës me liderët e Ballkanit perëndimor, Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dëshiron të dërgojë sinjal se në punën e tij do ta ketë parasysh rajonin e Ballkanit Perëndimor si prioritet dhe se dëshiron të ketë raporte të rregullta me liderët e rajonit.

Takimet e ndara do jenë një mundësi e mirë që Presidenti i ri i Këshillit Evropian, të njohë personalisht secilin liderë të vendeve të rajonit, por edhe për të diskutuar rreth përgatitjes së një samiti të posaçëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili zhvillohej më 18 dhjetor në Bruksel.

Zyrtarisht, ndërkaq, ka nisur punën edhe ish-kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, e cila ka pasuar Xhosef Borrellin, në pozitën e shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian. Kallas në një postim në media shkroi se “është nder që do t’i ndjek hapat e politikanit të njohur spanjoll”. Jo zyrtarisht është paralajmëruar se në darkën e 3 dhjetorit do të mundë të jenë edhe zonja Kallas, por edhe Komisionerja për zgjerim, Marta Kos.

Në një rast të tillë, ky do të ishte takimi parë si i zonjës Kallas ashtu edhe i zonjës Kos me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.