Rizvanolli ka thënë se për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, ajo tha se komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme.

“Intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës. Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.

Ajo ka inkurajuar qytetarët  të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë.

“Faleminderit ekipit të Ibër Lepencit dhe kontraktorit për punën në kanal, dhe Ministrit Xhelal Sveçla dhe Zëvendësministrit Hysen Durmishi që kanë përcjellur nga afër punën në terren gjatë gjithë natës”, ka shkruar tutje Rizvanolli.