Prokuroria ka njoftuar se ‘disa prej të pandehurve fillimisht i kishin ndërprerë rrugën njërit prej viktimave me vetura duke e sulmuar dhe shtënë në drejtim të tij. Ndërsa në rastin tjetër, viktima tjetër ishte ndjekur nga dy persona të tjerë. Pas të dyja këtyre rasteve, të pandehurit kishin hasur përsëri në viktimat dhe i kishin rrahur’.

Aktakuza thotë se më 22 maj, në afërsi të tyrbes së fshatit, të pandehurit H.L., Sh.L, dhe A.L. me dashje kanë tentuar të vrasin M.Q. dhe duke rrezikuar jetën e të dëmtuarave Gj.B. dhe S.Q. si pasagjere në veturë. Sipas aktakuzës, i pandehuri A.L. u ka dalë përpara veturës që drejtohej nga i dëmtuari. I pandehuri A.L. me shufër metalike e ka thyer xhamin e përparmë të veturës, ndërsa i pandehuri Sh.L. me pistoletë “Crvena Zastava 99” ka shtënë 4-5 herë duke e goditur të dëmtuarin në të dy këmbët. M.Q. kishte arritur të ikte në drejtim të Prizrenit.

Ndërkohë, në afërsi të tyrbes së fshatit, të pandehurit tjerë I.L. dhe A.L. të pajisur me një pistoletë i janë afruar të dëmtuarit B.Q., duke e goditur me pjesën e topitur të pistoletës.

Pastaj, të pandehurit H.L., I.L., H.L., Sh.L., dhe Z.L., pas konfliktit në fshatin Krajk, i kanë ndjekur me automjete të dëmtuarit dhe pasi ishin ndalur në një pompë benzine i kishin sulmuar duke iu shkaktuar lëndime të tjera, që janë konstatuar me dokumente ligjore.

Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se H.L., Sh.L. dhe A.L. akuzohen për veprën penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë”, të pandehurit I.L, dhe A.L., për veprën penale “Sulmi”, të pandehurit H.L, I.L, H.L, Sh.L dhe Z.L., për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe H.L., Sh.L., I.L., për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve”.