Shkruan: Dr. Gani N. ASLLANI
Shpallja e listave për deputet përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës shuajti kërshërinë (nëse ka ekzistuar gjëkundi) qytetare se kush janë personat që mëtojnë të votohen nga populli e më pastaj të marrin pozitat bartëse të institucioneve shtetërore.
Me tu hedhur një sy vërehet ajo që është për keqardhje se në të gjitha listat e partive dhe koalicioneve dominojnë emra njerëzish që janë nëpër listat zgjedhore qysh nga zgjedhjet e para të pas çlirimit, dhe se në aktivitetet e tyre nuk njihen për suksese në punë apo ndonjë të arritur kush e di se çfarë, duke mbytur kështu mundësinë e depërtimit të figurave të reja me ide dobiprurëse për vendin dhe shoqërinë. Këtë dukuri si shqetësim të madh e quan politologu britanik Simon Hix kur shprehet “mbetja e paraqitja e njerëzve të njëjtë si përfaqësues të partive në zgjedhje tregon se ato (partitë) nuk kanë mësuar nga porositë e zgjedhësve kur janë kërkuar që të zgjedhurit e popullit të përparojnë reforma, zhvillime dhe mirëpunë për votuesit e tyre”.
Dobësia e dytë e vërejtur është numri i ulët i ekspertëve të fushave të ndryshme nëpër lista. Hyrja e këngëtarëve, aktorëve, bijve të etërve apo mëmave me emër e nam në popull, madje edhe fituesit të BB VIP Kosova në listë është orvatje e partive për të grumbulluar votat rreth emrit të atyre personave më shumë se sa përpjekje për qasje të problemeve që ata/ato individ mund të zgjidhin. Mos harrojmë se jo si Kina me 2977, por se veç 100 deputetë janë shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, prandaj dhe nduar-ndurshmëria e të zgjedhurve duhet t’i përshtatet edhe kohës edhe institucionit. Është absurde që në listën për deputet të ketë persona që nuk kanë ende sot adresë imeli dhe nuk e kuptojnë shprehjen “fjalëkalim” siç u prezantuan para dy ditësh disa individ në një debat televiziv në një nga TV studiot e Kosovës. Bota ka shpikur inteligjencën artificiale kurse njerëzit që duan të përfaqësojnë popullin e Republikës së Kosovës kanë mbetur ende në kohen e qerres me kuaj dhe dërrasave të zeza në shkolla.
Shqetësim tjetër i cili vërehet dukshëm nëpër lista është edhe përfaqshmi jo proporcional i disa komunave në raport me komunat tjera, sepse kjo lojë paraqitet gjithnjë kur një komunë e vogël qon disa deputet kurse një tjetër më e madhe nxjerr 1 ose dy deputet në Kuvendin e Shtetit. Këtu faj ka edhe sistemi zgjedhor që zbatohet në Kosovë ku rajonet anashkalohen në favor të numrit të votave të grumbulluara.
Po ashtu, po thuaj se as një listë zgjedhore nuk ka nxjerr kandidat për deputet nga komunat veriore të vendit kur nevoja për zërin e tyre në trupin ligjbërës të shtetit nuk ka qenë kurrë më e madhe. Dhe në të njëjtën linjë hyrja në listat e deputetëve të njerëzve që jetojnë jashtë vendit e që përfaqësimin e tyre do ta bënin dy herë në vit sa për të marr rrogat, nuk mund ta arsyetoj askush.
Shqetësim mbetet po ashtu mosha e plakur e kandidatëve në lista që nuk mund të reflektojnë në nevojat e rinisë nisur nga shkollimi adekuat, punësimi i duhur e i dinjitetshëm, argëtimi si pjesë e kënaqësisë së përgjithshme njerëzore dhe mbi të gjitha mbajtja e rinisë në atdhe.
Vendi ka nevojë për ide të reja, njerëz të rinj që vetëmohimin e quajnë si sakrificë për të mirën e tyre, familjes së tyre dhe shtetit ku jetojnë, nëse partitë politike nuk kanë mbledhur mend koha është që votuesi t’i mësoj.