Ardhja e bashkatdhetarëve në Kosovë për t’i kaluar festat e fundvitit pranë familjeve ka shtuar fluksin në pikat kufitare, sidomos në ato me Serbinë. Pritje dhe kolona kishte kryesisht në pikën kufitare në Merdar, Dheu i Bardhë dhe Jarinjë.
Pas 38 vjetësh qëndrimi në Rijekë të Kroacisë, Ismet Musliu përfundimisht u kthye që të jetojë në vendlindje, në fshatin Shtedim të Podujevës. Kjo pasi ai ka tre muaj që ka dalë në pension dhe vitet e pleqërisë dëshiron t’i kalojë pranë familjes në Kosovë.
“Mendjen e kam pasur gjithmonë për vendlindje, por fati na dërgoi atje. Kosovën e kam dashur gjithmonë dhe e kam në zemër. Tash jam rehatuar dhe do të pushoj këtu”, tha Ismet Musliu.
Shumë bashkatdhetarë të tjerë të dielën ia mësynë Kosovës vetëm për festat e fundvitit. Në pikën kufitare në Merdar, pritjet për të hyrë ishin nga 10-25 minuta, kurse në dalje zgjasnin nga 5-10 minuta.
Ata treguan edhe për pritjet gjatë rrugës së gjatë për në vendlindje.
“Prej Gjermanie vijmë, rrugës kemi kaluar jo mirë. Kemi pritur shumë në Kroaci, por mirë,” tha një bashkatdhetar nga Gjermania.
“Gjithçka shkoi mirë, edhe këtu nuk na vonuan shumë,” u shpreh një tjetër bashkatdhetar.
“Ne në Kosovë vijmë për çdo mundësi që na jepet. Mirë kemi ardhur, ka pasur pak tollovi, por mirë,” deklaroi një bashkatdhetar nga Gjermania.
Kurse në Pikën Kufitare Dheu i Bardhë, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të hyrë përmes kësaj pike gjatë ditës shkuan mbi 1 orë.