Kurti tha se përfshirja më e madhe e fëmijëve në edukim krijon hapësira të shtuara për punësimin dhe zhvillimin profesional të prindërve e posaçërisht të nënave duke shërbyer si faktor rritje e qëndrueshmërie ekonomike krahas stabilitetit social dhe psikologjik.

“Ky proces është drejtpërdrejt i lidhur me prioritet tona strategjike dhe me politikat relevante të ndërmarra gjatë këtij mandat të qeverisjes sonë”, tha Kurti, teksa shtoi se me miratimin ligjit për fëmijërinë e hershme në Kuvend në korrik të vitit të kaluar, me hartimin e kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimin e saj tani po dëshmohet se veprat flasin më shumë sesa fjalët.

Kurti më tej tha se gjatë mandatit qeverisës, po dëshmohet se si qeveri po qëndron besnik premtimeve të dhëna në mënyrë institucionale dhe me veprim efikas ndërsektorial.

Ndërkaq ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se kjo ministri, që nga marrja e mandatit, kishte prioritet edukimin e hershëm të fëmijëve si dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore e fizike në avancimin e shërbimeve.

Ministrja Ngavci vuri ne pah se që nga fundi i vitit të kaluar, bashkë me UNICEF-in, kanë bërë studimin mbi modelin e rritjes së qasjes në edukimin e hershëm përmes diversifikmit dhe studimit analitik të Bankës Botërore mbi koston e shërbimeve mbi modelin e edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë, në mbështetje direkte të politikave qeverisëse të një prej 5 shtyllave të strategjisë së arsimit 2022-2026.