Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në bashkëpunim me fondacionin Terre des Hommes në Kosovë, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe mirënjohjeve vjetore “Mik i fëmijëve” për kontribuuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.
KOMF këtë vit ndau tre çmime vjetore në fushën e gazetarisë në mbrojtje të fëmijëve dhe gjashtë mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve”, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt mbrojtjes së fëmijëve.
Paneli Vlerësues për shkrimet gazetareske, i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Luljetë Prekazi – psikologe dhe Imer Mushkolaj– gazetar, ka përzgjedhur tre gazetarë për tu vlerësuar me çmimin vjetor 2024 në fushën e gazetarisë, si më poshtë:
- Blerta Ahmeti, Betimi për Drejtësi, për hulumtimin që shpalos problemet me të cilat ballafaqohen fëmijët gatë procesit të divorcit të prindërve dhe neglizhencën e institucioneve të drejtësisë për të trajtuar me prioritet rastet e divorcit kur në mes ka edhe fëmijë.
- Bujar Vitija, Kosovo 2.0, për shkrimin që trajton një temë kritike dhe shpesh të anashkaluar në shoqëri: shëndetin dhe mirëqenien e foshnjave dhe nënave në Kosovë. Me një hulumtim të thellë dhe histori prekëse të jetës reale, artikulli nxjerr në pah dështimet sistematike në kujdesin shëndetësor.
- Blerta Zuka, T7, për emisionin që ndriçon një realitet të dhimbshëm të fëmijëve të komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë, të cilët, për shkak të varfërisë dhe mungesës së infrastrukturës, janë të detyruar të luajnë në rrugë, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Ndërkohë që Paneli Vlerësues për nominimet Mik i Fëmijëve, i përbërë nga Blerta Perolli Shehu – Fakulteti i Edukimit, Universiteti i Prishtinës, Anita Çavdarbasha Korenica, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Natyra Agani nga Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës, ka vlerësuar dhe ndarë gjashtë Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2024”, për gjashtë personalitete të cilët përgjatë vitit 2024, kanë ofruar mbështetje e kontribut në mbrojtje e mirëqenie të fëmijëve të cenueshëm.
Mirënjohjet u ndanë si më poshtë:
- Familja strehuese Ganimete dhe Veli Memaj nga Komuna e Prizrenit merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2024, për strehimin dhe kujdesin e 13 fëmijëve pa kujdes prindëror të grupmoshave më të vogla, të rritur, të nacionaliteteve të ndryshme, dhe fëmijë me aftësi të kufizuar. Familja Memaj që nga viti 2015 kanë ofruar gjithë kujdesin dhe dashurinë për të cilën kanë nevojë këta fëmijë.
- Institucioni Mikrofinanciar FINCA merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2024”, për mbështetjen me 10 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara, në kopshte dhe shkollapër dy vite me radhë. Organizata Autizmi ka nënshkruar marrëveshjen për herë të tretë me Fincën, për mbështetje të asistentëve, për fëmijët me autizëm, ku këtë radhë: Finca do të rrisë mbështetjen për asistentët për fëmijët me autizëm, nga 10 – në 15 asistentë.
- Artan Hasani (profesor i arteve muzikore) merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2024” për dhurimin e parcelës së tokës, e cila do të shërbejë për ndërtimin e një shtëpie pushimi apo qendre trajnimi, një vend ku fëmijët mund të relaksohen dhe të ndihen të sigurt. Për shumë prej tyre, kjo do të jetë një mundësi për të kaluar kohë të lumtur, për të krijuar lidhje të sigurta dhe afatgjate, për të mësuar dhe për t’u ndjerë të dashur, duke i ofruar një shans për t’u zhvilluar në një ambient të sigurt dhe mbështetës.
- Banka për Biznes (BPB) merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2024”, për kontribuimin e drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë e shërbimeve terapeutike për fëmijët me sindromën Down, duke dhuruar një donacion në vlerë 9,600 Euro për shërbimet terapeutike. Këto shërbime BPB i mbështet për një periudhë pesë vjeçare dhe në total vlera financiare është 48,000.00 Euro.
- Banka ProCredit merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2024” përmbështetjen e fushatave të ndryshme ndër vite të SOS Fshatrave të Fëmijëve për mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve në nevojë. Në vitin 2024, përmes fushatës “S’ka si në shtëpi,” ProCredit kontribuoi me 6,000 euro për të mbështetur 40 familje dhe afër 150 fëmijë duke siguruar shërbime të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe prindërit e tyre. Poashtu, ProCredit ka krijuar një ndikim pozitiv që i tejkalon kufijtë financiarë, me mbështetjen e SOS Fshatrave të Fëmijëve në hapjen e platformës e-commerce ne ueb faqen e për donacione online pa pagesë.
- Cycle Kosovo for Children (CKC grupi i çiklizmit) merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2024” për mbështetjen e sektorit shëndetësor në Kosovë dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë për më shumë se një dekadë, duke dhuruar mbi 100, 000.00 Euro për sigurimin e pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve esenciale për spitalet rajonale në klinikat e tyre pediatrike e neonatologjike, si dhe për Qendrat e Mjekësisë Familjare. Kjo iniciativë ka arritur të adresojë nevoja kritike dhe të ndihmojë qindra fëmijë të përfitojnë nga trajtimi më cilësor dhe i specializuar.
KOMF falenderon të gjithë fituesit, gazetarët dhe Miqtë e Fëmijëve, individët, korporatat, partnerët dhe bashkëpunëtorët, të cilët vazhdimisht dhe në mënyrë të pakursyer dëshmojnë vullnet dhe angazhim në mbështetje të komunitetit e mbi të gjitha të fëmijëve, drejt misionit të përbashkët fisnik të mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre. /Kosovatimes/