Shkolla e Oficerëve në kuadër të Akademisë së Mbrojtjes të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, ka filluar për herë të parë realizimin e Kursit të Karrierës për Kapiten. Prandaj aty shkuan për vizitë ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci e drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Christian Nawrat.
Siç bëhet e ditur, qëllimi i kursit të karrierës për Kapiten është që të zhvillojë njohuri në procesin e vendimmarrjes ushtarake për udhëheqje në nivel kompanie në mjedise operacionale, duke u përqendruar në aftësitë taktike, teknike dhe të udhëheqjes.
“Kursi është i dizajnuar të përgatisë oficerë të aftë në udhëheqje, ekspertizë taktike dhe operative, njohuri për degë specialistike, operacione të përbashkëta, si dhe ekspertizë si oficer shtabi, duke përmbushur kështu qëllimin dhe objektivat e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ngritjen e kapaciteteve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes.