Grupvirozat që po qarkullojnë në vendin tonë kanë shtuar numrin e rasteve nëpër qendrat shëndetësore. Pediatrja, Sonila Brata thekson se temperaturat e larta pa shkak është një nga simptomat e shpeshta nga rastet e shtuara.

 

Virozat që po qarkullojnë këto ditë në vend, nuk kanë kursyer asnjë nga grupmoshat dhe shfaqet me infeksione respiratore të rrugëve të poshtme.

“Ka një shtim që nga fillimi i janarit, që nga nisja e shkollës pas pushimeve dimërore ka një rritje të numrit të pacientëve që drejtohen tek ne, numrit të fëmijëve apo dhe nga moshat mbi 10-vjeç. Vijnë me temperaturë të lartë e cila zgjat disa ditë. Në fakt duket sikur ka ikur, por mund të rikthehet pas pak ditëve , shoqëruar edhe me dhimbje fyti, rrufë, dhimbje koke po ashtu”, renditi mjekja.

Ndërkohë nga mjekët rekomandohet aplikimi i vaksinës së gripit si një masë parandaluese sidomos për moshat e treta. Pediatria Brata thotë se nuk duhet të neglizhohet asnjë simptomë, duke dhënë dhe rekomandime.

“Në rast temperature të lartë duhet të drejtohen ditën e dytë tek ne, pra nuk duhet të neglizhojnë simptomat. Urgjenca është për raste të vështira e të rënda, kur fëmija ka një temperaturë që nuk zbret, ose mund të ketë vjellë mbi 10 herë”, thekson mjekja.

Sipas pediatres Brata deri më tani nuk ka patur raste me komplikacioneve të rënda, ndërsa kjo situatë po menaxhohet nga mjekët e familjes.