Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre të dyshuar për marrje ryshfeti si dhe ka kryer kontroll në tri objektet të banimit, të personave të dyshuar, dy në Gjakovë dhe një në Pejë, ku janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Njësia Rajonale në Gjakovë, ka pranuar informatë se tre të dyshuar në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ”Marrja e Ryshfetit’’ neni 421 i KPRK-së”, thuhet në raportin e PK-së.
Policia thotë se ka ndërmarr veprime hetimore, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi se tre të dyshuarit meshkuj kosovarë, me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo personin tjetër, dyshohet se kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash në disa raste të ndara, si dhe të mira materiale të ndryshme pa pagesë nga pronaret e bizneseve të ndryshëm në komunën e Gjakovës.
“Sot, më datë 20.01.2025, me Urdhër nga Gjykata Themelore në Gjakovë në koordinim me prokurorin përgjegjës të rastit janë kontrolluar tri objektet e banimit të personave të dyshuar (dy në Gjakovë dhe një në Pejë) ku janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet tutje në këtë raport.
Gjatë kontrollit janë sekuestruara dëshmitë si në vijim: para të gatshme 11600 Euro, katër telefona mobil, një IPOD, një pasaportë e Republikës se Shqipërisë, një letërnjoftim i Republikës se Shqipërisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se tre të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistës me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.