Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se në qytetin e Hamburgut pesë kandidatë me prejardhje nga Kosova po garojnë për zgjedhjet e landit të Hamburgut.
Ajeti ka thënë se ky është një moment historik dhe arritje e jashtëzakonshme.
“Ky është një moment historik dhe një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për diasporën shqiptare, por edhe për forcimin e zërit të saj në politikën dhe politikbërjen gjermane. Së bashku me udhëheqësin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Hamburg, Mizbah Mustafa, patëm kënaqësinë të mirëpresim dhe të bashkëbisedojmë me kandidatët, Dafina Berisha (SPD),Kushtrim Lulaj (CDU),Muhamet Idrizi (CDU),Nikola Tunici (CDU) dhe Sami Musa (FDP)”, ka shkruar Ajeti .
Ai ka ftuar të gjithë shqiptarët në këtë land të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të marrin pjesë në zgjedhje.
“Pjesëmarrja juaj nuk është vetëm një votë – është një zë më i fuqishëm brenda institucioneve gjermane! ”, ka shkruar ai.