Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga Analiza e Programit të Qeverisë së Kosovës 2021-2025 si dhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-dhjetor 2024.
Lëvizja FOL ka thënë se programi i Qeverisë së Kosovës ka dështuar t’i realizojë objektivat e tij kryesore për shkak të ngecjeve procedurale, mungesës së përgatitjes teknike dhe mungesës së koordinimit institucional.
Sipas FOL, zbatimi i programit është përballë me vonesa në miratimin e politikave, defekte legjislative dhe mungesë të koordinimit ndërinstitucional.
Ndër problemet kryesore të legjislaturës së kaluar, sipas kësaj organizate, ka qenë vonesa në miratimin dhe zbatimin e ligjeve dhe kontestimi për shkelje procedurale.
Rrëzimin e disa ligjeve nga Kushtetuesja, Lëvizja FOL e ka cilësuar si “nxjerrje në pah jo vetëm të mungesë së përgatitjes teknike të qeverisë, por edhe dobësisë së sigurimit të konsensusit më të gjerë politik e institucional për miratimin e tyre.
“Në përmbledhje, programi qeverisës për 2021-2025 ka dështuar të realizojë objektivat e tij kryesore për shkak të ngecjeve procedurale, mungesës së përgatitjes teknike dhe mungesës së koordinimit institucional”, thuhet në analizë.
Analiza në përfundim ka konstatuar se disa nga objektivat e paraqitura në program duhet të rishikohen ose të formësohen më mirë, duke përmendur këtu iniciativat për Vettingun dhe Fondin sovran.
Në një konferencë për media, kjo organizatë ka publikuar edhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-dhjetor 2024.
Menaxherja e projektit në Lëvizjen FOL, Burbuqe Kastrati, ka thënë se nga 544 aktivitete të parapara, Qeveria i ka realizuar 207 prej tyre apo 38 për qind. 163 kanë mbetur pa u realizuar e për 174 aktivitete s’ka pasur përgjigje nga ministritë.
Ndërsa, ajo ka theksuar se për 174 aktivitete apo (32%) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për vitin 2024.
Kurse, drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli –Nimani, ka theksuar se me ketë qeveri e cila kaloj mandatin e plotë ka qenë me e lehtë të analizohet programi katër vjeçar.
“Duke qene se është qeveria e parë me mandat të plotë që nga shpallja e pavarësisë ne kemi bërë edhe një analizë të Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025, i miratuar më 7 maj 2021. Program ky që paraqiti një vizion ambicioz për zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të vendit. Megjithatë, zbatimi i këtij programi është përballur me sfida serioze që kanë penguar arritjen e objektivave kryesore. Ndër sfidat kryesore janë vonesat në miratimin e politikave, defektet legjislative dhe mungesa e koordinimit ndër-institucional”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, në mënyrë që të zbatohet Programi, Qeveria është dashur të ndërmarrë veprime për miratimin e ligjeve si hapa paraprakë në zbatim të programit.
“Megjithatë, një nga problemet më të dukshme ka qenë vonesa në miratimin dhe zbatimin e ligjeve. Një numër i madh projektligjesh të miratuara nga Kuvendi i Kosovës janë kontestuar për shkelje procedurale dhe janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Për shembull, në dhjetor 2024, një grup deputetësh dorëzoi 16 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar qeverinë për mosrespektim të procedurave ligjore”, ka theksuar Demolli-Nimani.