Në seancën fillestare ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, Ymer Dagushës, si dhe Isuf Zejnës, të akuzuar për keqpërdorime në rastin KEK2, Krasniqi dhe Zejna u deklaruan të pafajshëm, ndërsa Ymer Dragusha ka pranuar fajësinë.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është deklaruar “plotësisht i pafajshëm”. I akuzuari Isuf Zejna nuk e ka pranuar fajësinë.
Kurse, ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ka pranuar propozimin e prokurorisë për pranimin e fajësisë dhe rekomandimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit.
Dragusha ka nënshkruar marrëveshjen e pranimit të fajësisë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Kjo marrëveshje rekomandon dënim në kohëzgjatje prej 2 vitesh, i cili nuk ekzekutohet me këto kushtet: të mos kryej vepra penale brenda dy viteve, të jetë dëshmitarë bashkëpunues.
Prokurorja e rastit, Fikrie Fejzullahu tha se pranimi i fajësisë nga i akuzuari Dragusha është bërë në mënyrë vullnetare.
“Dënimi në kohëzgjatjes prej 8 muajsh, dispozitave 2 me dënim 6 muaj, dispozitivi 3 për 6 muaj dhe dispozitivi 4 po ashtu 6 muaj apo në total prej 2 vitesh dhe nuk ekzekutohet nëse i pandehuri nuk i përmbush këto kushte”, ka theksuar prokurorja Zejnullahu.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri e ka shtyrë shpalljen e aktgjykimit deri në përfundimin e çështjes penale.
Gjatë kësaj seance fillestare është lexuar edhe aktakuza e cila për këtë rast ishte ngritur më 30 dhjetor 2024.
Në aktakuzë thuhet se ata me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro.