Anëtari i KQZ-së nga VV-ja Alban Krasniqi, ka thënë se dy lajmet e shpërndara së fundi, ai në lidhje me raportimet se ambasadori ka marrë votat nga kutitë postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadë, si dhe lajmi për kamionin nga Serbia që ka sjellë kamerat e sigurisë janë dezinformata që janë në dëm të integritetit të punës së KQZ-së
Të pavërtetë e ka quajtur Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje, lajmin e një dite më parë rreth dyshimeve për transportim të votave nga një ambasador, për çka edhe prokuroria nisi hetimet.
Madje, Krasniqi në mbledhjen e KQZ-së e ka uruar prokurorinë, për punën, që sipas tij, po e bënë e interesimin e treguar që tha se ka ardhur pas presionit të jashtëm e edhe politik.
Ai, publikimin e lajmit nga mediet e ka quajtur përpjekje, sipas tij, për të denigruar integritetin e KQZ-së, MPJD-së e të ambasadorit në fjalë.
“Është tërësisht e pavërtetë prej kontekstit si është trajtuar, dhe është si mënyrë e ulët e informimit, e përpjekje për të denigruar integritetin qoftë të KQZ-së, të MPJD-së qoftë edhe ambasadorit në fjalë, falë të cilëve kemi arritur sot, me sukses të realizojmë procedurat që na kanë mundësuar regjistrimin, votimin nëpër posta, sjelljen e zarfeve në adresa postare. Me këta ambasadorë, me atë ministri, me zyrtarë të përfaqësive diplomatike, kemi arritur me sukses ta bëjmë një gjë të tillë”, tha tutje ai.
Krasniqi, tha se prokuroria është e lirë të verifikojë meqë, siç tha, nuk ka asgjë të vërtetë.
“Natyrisht e uroj edhe prokurorinë për punën që po bën, e le të dal sa më parë edhe prokuroria, meqë ka treguar një interesim të jashtëzakonshëm. Natyrisht, për shkak të presioneve që vijnë edhe politike edhe të jashtme. Shumë mirë le ta shikojë edhe secilin proces prokuroria, është e lirë ta verifikojë e hetojë, e që nuk ka asgjë prej asgjëje, prej çka është tentuar të paraqitet . Kjo e ka veç një dëm, dëmi është publik, institucional”, tha tutje ai.
Krasniqi, ka kërkuar nga përgjegjësit në KQZ që publikut t’i vihen në dispozicion të gjitha informatat.
“Le t’i tregohet publikut që ato 10-20 zarfe janë tërhequr për shkak të presonit të postës që ka pasur dhe janë tërhequr përmes ekipeve të autorizuara”, tha ai.
Ai ka thënë se edhe lajmi që një kamion me traga serbe ka bartë kamerat e sigurisë që do të përdoren në vendvotime, është dezinformatë, sipas tij ai kamion ka qenë kamion i kontraktorit me te cilin ka pas kontratë KQZ-ja dhe i ka bartë kamerat.
“Kam një sqarim për mediat, në lidhje pikërisht me kamerat, sepse para disa ditësh u bë një lajm se gjoja një makinë, një kamion është futur në objektin e qeverisë dhe i përket kësaj ministrie, asaj ministrie. Ka qenë dezinformatë, nuk është respektuar elementi bazë i vërtetimit të lajmit. E vërteta është se ai kamion ka qenë i kontraktuar me të cilin ka pasur kontratë KQZ dhe ka bartur kamerat regjistruese me pajisjet përcjellëse në një hapësirë të cilën KQZ-së ia ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme, por as nuk ka qenë ajo e kjo ministri, e as qeveria nuk ka pasur lidhje me atë kamion”. Është bërë tashmë edhe në diskursin tonë publik çështja e dezinformatave, e luftës hibride ,e dimë nga e kanë burimin e mos të bimë pre e lajmeve shpifëse, keqdashëse që e kanë një qëllim të cenojnë integritetin e procesit zgjedhor”, ka thënë ai.
Nis mbledhja e KQZ-së, flasin për përgatitjet rreth procesit zgjedhor
Ka nisur takimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aty ku do të ketë diskutim për përgatitjet rreth procesit zgjedhor që do të mbahet me 9 shkurt në Kosovë.
Ky është rendi i ditës i kësaj mbledhje e cila po zhvillohet aktualisht.
1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të Mbledhjes Nr. 09/2025
3. Aktivitetet e SKQZ; Përgatitjet për ditën e zgjedhjeve, 9 shkurt 2025
4. Këshillat e KQZ 4.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore 4.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i listë së zyrtarëve të MPJD-së për angazhim në Përfaqësi Diplomatike në ditën e zgjedhjeve; 4.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i zëvendësimit të anëtareve të KVV-ve; 4.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të KVEL-ve; 4.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i planit operacional për ditën e zgjedhjeve