Shkruan: Shefik ShKODRA
Votimet (9, 2. 2025) u kryen si është më mirë e pa ndonjë incident të dukshëm. Kjo është meritë e qytetarëve. Të gjithë kanë treguar një pjekuri për sistemin pluralist. Kanë dhënë një pasqyrë të dinjitetshme para opinionit botërorë. Çka është më e rëndësishme janë vetëdijesuar dhe ata vetë zgjedhin…
Shkoi mirë deri te numërimi i votave, por aty po thuhet se ka pasur disa ngecje. Nejse, del punë tjetër. Ai që ka përzier duart nëpër kutia votimi duhet të japë llogari para opinionit të gjerë publik.
Veç te ne dihet se parapërgatitja dhe paraqitja e “programeve” partiake ka filluar kur kanë dashur vetë liderët e partive. Disa qe katër vite s’e kanë ndalë propagandën për rrëzimin e qeverisë, jo mendime për të mirën e këtij vendi.
Tash po shqetësohen, pse VV ka dalë me shumicë votash. Na duket se tashmë është krejt e qartë. Opinioni publik nuk është prej dhjeta, por prej mija e mija e qindra mijave të qytetarëve të profileve të ndryshme.
Për katër vite sa zgjati mandati i kësaj Qeverie kurrë nuk janë ndalë “poterat” e do farë analistëve me plotë vokabularin e ndytë. Këta ta edukojnë brezin që vjen! Kurrë s’kanë ditur të vlerësojnë diç pozitive për punën e kësaj qeverie. Veç terr e zi. Këta punëtorë të inkuadruar te oligarkët dhe opozitarët janë identifikuar shumë e me një politikë të Serbisë. Më shumë kanë vajtuar për Serbinë se sa për Kosovën. Po kjo do të thotë se, më parë, “institucionalistat” e kanë ndye skenen politike, si ai andej e si ky këndej. Ishte e është një aleancë opozitare e lidhur edhe me elementë të jashtëm, si me atë E. R. e Shqipërisë, etj.
Politika e Edi Rames dhe e opozitës në Kosovë, bukur kanë vepruar për Serbinë në kurriz të Kosovës; këtë të fundit saherë e kanë ngarkuar sa më keq. Shtrohet pyetja, çfarë do të bëni ju, të njëjtit që ishit para katër viteve në pushtet? Sërish, ju nuk keni dhënë shenja të mira për integritetin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik e as për fushat tjera shtetërore. Pos LDK, me një ndryshim të vogël, të tjerat nuk kanë bërë kurrfarë reformimi.
Çfarë mendoni, mos krejt qytetarët e këtij vendi janë analfabet, a si thonë disa prej atyre “analistave”, më falni, banalistave se, krejt elektorati i VV-së janë tru shpërlarë, më shkurt, budalla! Ua ka shpërlarë trurin Albin Kurti. Mendoj, më mirë me t’i shpërla mendtë Kurti se sa të çirresh nëpër TV – Koçakët si një bishë e çartur, duke thirr popullin, të tërbohen edhe ata. Si ajo fjala popullore, “edhe na…ta blejmë mishin me të cilin duhet tërbohemi të gjithë!” Kështu i thoni pjesës së qytetarëve që e votojnë liderin dhe partinë që duan ata dhe jo sipas sugjerimeve, përkatësisht ‘piskamave’ të juaja të tërbuara. TV-të, pse nuk marrin edhe personalitete të tjera për të shfaqur mendime lidhur me rastet e ndryshme. Gjithnjë të njëjtë. A thua, vetëm këta janë të dijshëm?! Jo. Është interesi i punëdhënësve përkatësisht liderëve opozitarë me oligarkët. Këto janë disa prej defekteve që e keni katandisur qytetarin tonë. Dhe vetë e keni sjellë gjendjen e Kosovës jo fort të pëlqyeshme. Kështu thuhej edhe më herët, “s’po na lirojnë prej vizave…se na mirë qëndrojmë”. Hëëë!
Kështu po vazhdon fjala jonë në demokracinë tonë Sui Generis. Kështu kanë mësuar të gjithë të flasin për politikë. Kështu ndoshta konkurrojnë për deputet shumica, veç për pagë dhe ndonjë përfitim parcial. Kështu shahen prej të parit e deri te i mbrami, se, kështu po bajka, se, kështu shan zyrtari, analisti, lideri, etj. Eh, kjo e shara është puna më e lehtë, politikë më. Mund të thuash çka të vjen në gojë.
Mendoj, që pas (ri)numërimit të formohet Qeveria, me koalicion a pa koalicion. Qytetarët nuk i japin mandat krye në veti askujt të veprojë në dëm të sovranitetit dhe integralitetit territorial.