Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, prej ku ka dhënë zotimin për të punuar bashkë e edhe më shumë në vitin 2023.
Si Qeveri po ndërmarrim të gjitha hapat në dispozicion për të siguruar ulje të konsumit të energjisë, duke ndihmuar kështu buxhetin e familjeve e buxhetin e shtetit në kohë krize, tha Kryeministri Kurti, duke veçuar sidomos subvencionimet për familjet që të blejnë pajisje efiçente për ngrohje dhe për ato që kursejnë energjinë elektrike.
“Në mes të kësaj sfide që i ka shkundur themelet e njërit prej sektorëve më të lëna pas, KEK-u, me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, ka arritur që të përmbyll projekte të cilat do të sigurojnë vazhdimin e funksionimit të Korporatës dhe përforcimin e kapaciteteve të saj në të ardhmen”, tha ai.
Më tej, kryeministri theksoi se Qeveria ka siguruar grante dhe kredi të cilat do të mundësojnë vënien në jetë të një projekti Solar prej 100 Megavat kapacitet, që është investimi i parë publik në kapacitete gjeneruese që nga fillimi i operimit të bllokut B2 më se 4 dekada më parë.
Ai po ashtu tha se ky projekt është pjesë e angazhimit gjithëpërfshirës të Qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm, ku hyn edhe projekti “Solar 4 Kosova”, i cili parasheh zgjerimin e ngrohtores së Termokosit përmes energjisë solare. “Projektet e nisura në KEK shënojnë hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, ku roli i KEK-ut vazhdon të jetë i domosdoshëm dhe përputhet me shumëllojshmërinë e kërkesave të një sektori modern edhe të qëndrueshëm”, u shpreh ai.
Para përmbylljes së vitit, KEK-u tanimë i ka prodhuar 5,152 GWh orë, e nga të cilat 581 GWh orë janë eksportuar, i bie përafërsisht 11.2 për qind të prodhimtarisë së gjithmbarshme ka shkuar për eksport. Për ta arritur këtë nivel të prodhimit janë nxjerrë rreth 7.5 milionë tonë të qymyrit nga 8 milionë sa kanë qenë të planifikuar për vitin 2022.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre e Ekonomisë, Rizvanolli,
I nderuari kryeshef i KEK-ut, Krasniqi,
I nderuari drejtor i Bordit, Haziri,
Të nderuar inxhinierë e punëtorë të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e madhe që sot ndodhem këtu në mesin tuaj, dhe kjo vizitë para përfundimit të këtij viti, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe me udhëheqjen e KEK-ut, është dëshmi e rolit të Korporatës Energjetike të Kosovës për shtetin dhe veçanërisht për sektorin e energjisë. Para përmbylljes së vitit, KEK-u tanimë i ka prodhuar 5.152 GWh orë, e nga të cilat 581 GWh orë janë eksportuar. I bie përafërsisht 11.2 për qind të prodhimtarisë së gjithmbarshme ka shkuar për eksport. Për ta arritur këtë nivel të prodhimit janë nxjerrë rreth 7.5 milionë tonë të qymyrit nga 8 milionë sa kanë qenë të planifikuar për vitin 2022. Si gjithmonë, një pjesë e konsiderueshme e furnizimit me energji elektrike në Kosovë sigurohet nga punëtorët e KEK-ut që operojnë si në mihje po ashtu edhe në termocentralet tona Kosova A dhe Kosova B. E përsëri në sezonin e ftohtë të dimrit mban KEK-u mbi supe barrën kryesore të ballafaqimit me krizat e njëpasnjëshme të vështirësisë energjetike e cila e ka kapluar Evropën për më se një vit.
Përmes fushatave të informimit, por edhe duke subvencionuar, e sidomos duke subvencionuar familjet që të blejnë pajisje efiçiente për ngrohje dhe ato që kursejnë energjinë elektrike, si Qeveri po ndërmarrim të gjitha hapat në dispozicion për të siguruar ulje të konsumit të energjisë, duke ndihmuar kështu buxhetin e familjeve e buxhetin e shtetit në kohë krize.
Në mes të kësaj sfide që i ka shkundur themelet e njërit prej sektorëve më të lëna pas, KEK-u, me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, ka arritur që të përmbyll projekte të cilat do të sigurojnë vazhdimin e funksionimit të Korporatës dhe përforcimin e kapaciteteve të saj në të ardhmen.
Përmes bashkëpunimit të KEK-ut me Korporatën Energjetike të Shqipërisë, Kosova ka depozituar 225GWh energji ashtu që të kompensohen mungesat atëherë kur na nevojitet.
Është rritur efiçienca e riparimeve për ndaljet e paparashikuara të dy termocentraleve. Përderisa punohet në remontet e njësive të Termocentralit Kosova A, në Kosovën B do të modernizohen pajisjet ashtu që ta kthejnë efikasitetin e plotë të Termocentralit.
Pas kësaj, do të vendosen elektrofiltrat që do të kenë ndikim të theksuar në uljen e emetimeve, me projektin e financuar nga Bashkimi Evropian.
E Bashkimi Evropian do të disbursojë edhe një fond prej 75 milionë eurosh, të cilin do ta shfrytëzojmë në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta tejkalojnë këtë krizë energjetike më lehtë.
Qeveria ka siguruar grante dhe kredi të cilat do të mundësojnë vënien në jetë të një projekti Solar prej 100 Megavat kapacitet. Pasi që ky park solar do t’i shtohet portfolios së gjenerimit të KEK-ut dhe do të menaxhohet nga ju, ky është investimi i parë publik në kapacitete gjeneruese që nga fillimi i operimit të bllokut B2 më se 4 dekada më parë. Ky është hapi i parë i KEK-ut drejt përforcimit, diversifikimit të burimeve të energjisë. Ky projekt është pjesë e angazhimit gjithëpërfshirës të Qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm, ku hyn edhe ai projekti “Solar 4 Kosova”, i cili parasheh zgjerimin e ngrohtores së Termokosit përmes energjisë solare. Projektet e nisura në KEK shënojnë hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, ku roli i KEK-ut vazhdon të jetë i domosdoshëm dhe përputhet me shumëllojshmërinë e kërkesave të një sektori modern edhe të qëndrueshëm.
Unë ju falënderoj secilit dhe secilës për punën që e bëni në KEK, për angazhimin e për kontributin tuaj që është jetik për Republikën e Kosovës, posaçërisht në kohë krizash sikurse kjo.
Atëherë, ne zotohemi që do të punojmë bashkë edhe më shumë në vitin 2023 dhe me këtë përkushtim tonin Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! /Kosovatimes/