Sonte, me fillim nga ora 19.00, në Mensën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, do të promovohet monografia dhe albumi muzikor “Gjurmë të Qamilit të vogël në muzikë”.
Krenar Doli, bashkautor, theksoi se në album kanë përzgjedhur 16 materiale, krijime të Qamilit të vogël. Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” tha se nëse flasim vlerat për vlerat e librit, “ne Qamilin e vogël e kemi parë në disa dimensione si krijues, si interpret, si mbledhës, si përfaqësues i shtëpisë diskografike”.
“Ka edhe shumë të pathëna që mbesin jashtë, por besoj që është një bazë e mirë për studiuesit e tjerë që do të merren jo vetëm me figurën e Qamilit, por edhe me figura të tjera shumëdimensionale që kanë lënë gjurmë në kulturën tradicionale”, tha ai.
Ai tregoi se në këtë libër janë marrë vetëm me krijimtarinë e Qamilit të vogël. “Kemi filluar me ahengun e Gjakovës, sepse fillesat e tij fillojnë me ahengun, aty i mbetet nofka i vogël, sepse në atë kohë në shoqërinë e Ymer Rizës kanë performuar dy Qamila, Qamil Fazlia dhe Qamil i vogël, e për ta dalluar njërin nga tjetri, i ka mbetur nofka i vogël”, tregoi ai.
Ndër të tjera, ai bëri me dije se sado që të shkruhet për figura të tilla, nuk është e mjaftueshme, se Qamili ka bërë punët e një institucioni.
“Janë shumë këngëtarë eminentë që kanë dalë nga duart e Qamilit të vogël. Për shembull, Shkurte Fejza, Shyhrete Beluli, Remzije Osmani, Violetë Kuka Retkoceri, Nikollë Nikëprelaj e shumë të tjerë”, shtoi ai.
Doli tha se ideja e kësaj pune lindi kur “ne si Institut Albanologjik, Dega e Folklorit, e organizuam një tryezë shkencore për Qamilin e vogël në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së tij, e aty u mblodhën disa studiues që e njohin veprimtarinë dhe krijimtarinë e këtij personazhi poliedrik”.
“Kohë pas kohe jemi paraqitur nëpër konferenca të ndryshme nëpër botë për blejtë e Qamilit të vogël dhe konkretisht Qamili i vogël si përfaqësues i shtëpisë diskografike ‘Jugotonë’, prej vitit 1967 për Kosovën dhe kështu së bashku me Bestar Vulën i mblodhëm forcat dhe para jush gjendet puna jonë e re së bashku me albumin”, tha ai.
Po ashtu, ai tregoi se albumi nuk ka qenë pjesë e kësaj monografie, por e kanë parë të udhës ta shtojnë edhe albumin dhe ta plotësojnë në mënyrë më të plotë veprimtarinë e Qamilit të vogël.