Nga Besim Dybeli
Udhë e gjatë e një aktiviteti. “Dita e Miqësisë”, kështu u pagëzua para 14 vitesh në qytetin e Elbasanit, ardhja e shumë gazetarëve nga të katra anët e Shqipërisë. Festa kaloi mrekullisht bukur. Tryeza e bashkëbisedimit u shndërrua në këmbim përvojash e problemesh në gjirin e gazetarëve. Nuk mbeti e lokalizuar. Në bashkëpunim me kreun e UGSH, Aleksandër Çipa dhe mbështetjen nga drejtuesi i shoqatës “RessEgnatia”, Xhimi Vila, ky aktivitet do të merrte shtrirje në shumë qytete të Shqipërisë. Njëkohësisht, edhe në të gjitha trojet shqiptare në Rajon. Ky vit shënonte 14 vjetorin.Kaluam kufirin shtetëror…
Udhëtojmë nga rruga e Kombit. Pak më gjatë, por rruga më e mirë. Kalojmë lehtë në Hanin e Elezit. Në Shkup arrijmë pas disa orësh. Autobuzi dhe pak makina personale arrijnë në mesditë. Akomodohemi në hotele. Më pas nis axhenda ditore. Një takim i ngrohtë në zyrën e zëvendëskryeministrit. Shkëmbejmë mendime e propozime konkrete. Takimi masiv rreth orës pesë në mbrëmje. Nis forumi “Dezinformimi në media”. Pjesëmarrës aktivë mjaft gazetarë maqedonas. Na bashkonte profesioni, që sfumonte kombësinë. Darka e këndshme dhe plot biseda vëllazërore. Nga pritësit qeveritar dhe kolegjiale, një shembull vlerësimi e bashkëpunimi…
Udhëtojmë përmes Kosovës për të kaluar në Serbi. Në pikën kufitare e doganore serbe kalojmë lehtësisht. Autoritetet korrekte dhe me kulturë. Në Luginë vijmë për herë të dytë. Para katër vjetësh ishim këtu. Mall e kureshtje për bashkëkombësit tanë në këtë shtet. Kështu janë ndarë kufijtë. Një takim i ngrohtë me kryetaren e komunës dhe stafin e saj. Këtu e në Bujanofc, edhe ambasadori ynë në Beograd. Udhëtova pak kilometra në makinën e tij. Folëm për mundësitë e ndihmës në Luginë.Shoferi, një shtetas serb, korrekt e mirësi kulturore. Drejtuesja e komunës shpreh kenaqësinë e pranisë së gazetarëve shqiptar e shpalos punën e shqetësimet e komunitetit. Të njëjta kanë mbetur këtu e katër vite,kur ishim. Papunësia, infrastruktura e dobët, pasivizini u adresave për shqiptarët në emigrim, arsimimi me tekste shqip, mungesa e investimeve, disa nga shqetësimet e nevojat këtu. Qeveria e Kosovës ka bërë diçka për të ndihmuar këtë komunitet brenda ligjeve serbe e atyre ndërkombëtare. Pak a shumë edhe ajo e Tiranës. Nga kjo e fundit presin më shumë. Mundësitë janë. Mes shumë nevojash, edhe vendosja e një korrespodenti i RTSH ne këtë zonë. Në median shqiptare shtetërore e private, pak flitet për hallet e Luginës. Edhe në Bujanofc e njëjta tablo. Kreu i komunës dhe një pjesë e stafit na presin në sallën qendrore. Ambasadori ynë, pa thyer asnjë protokoll diplomatik, na shoqëron edhe këtu. Autoritet komunale flasin me respekt për të. Përpjekjet e tij për problemet sociale vlerësohen gjithandej. Kreu i komunës, një djalë simpatik e kurajoz na paraqet një tablo të jetës këtu. Gati të njëjtat probleme. Tekstet shqip lejohen vetëm në klasën e parë. Pra, vetëm Abetarja, “flet ” shqip këtu. Në klasat vijuese, mësimi pa libra. Ç’ka mund të përvetsojnë nga ligjërimi i mësuesit. Takim edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar. Flet korrekt e më “këmbë në tokë”. Shqetësimet e tyre mbeten obligim mediatik për ne, por obligimi kushtetues për qeverinë e Kosovës e Shqipërisë. Ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë detyrën tonë si njerëz të medias. Besojmë se edhe autoritet e dy shteteve do të bëjnë më shumë. Sakaq, atmosfera e darkës na pushton të gjithëve. Muzika e bukur shqiptare na bashkon më shumë. Nuk u emetuan melodi apo këngë më doza nacionaliste, që mund të ngjallnin keqkuptime. Natë vonë prehemi në hotele. E nesërmja një tjetër udhëtim.
U nisëm nga toka shqiptare e po mbërrijmë në të njëjtën tokë. Në Pejë na presin si vëllezër e motra. Hera e pare këtu e këtij aktivitetit. Autoritetet komunare na presin para portës hyrëse të Patriarkanës ortodokse. Thellë rrëzë malit, në dalje të qytetit një “oaz” historie. Shohim gjithçka, por aq sa lejohet për çdo vizitor. Më pas mbresëlënëse vizita në muze e në çarshi. Jeta rrjedh nga historia e brezave. Por në muze stendat dhe objektet te sjellin para syve “honet” e historisë së lashtë me trimëri e luftra për tokën mëmë.Herojtë shpalosen nga lashtësia e në ditët e sotme. Krenar e dinjitet patriotik. Si kudo, edhe këtu pritje e ngrohtë e vëllazërore. Kthehemi sërish nga rruga përmes Kombit. Në Tiranë, natën vonë. Mbresa e kujtime , që kolegët po i hedhin ne mediumet e tyre. Pushteti ynë mbetet vetëm fjala. Shpresojmë të dëgjohet. Ishte ky edicioni i 14-të i “Dita e Miqësisë” së gazetarëve shqiptarë. Respekt për pritësit. Po edicioni i 15-të?!
Inshallah…