Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Mbrojtja e të akuzuarve ka marrë në pyetje dëshmitarin e prokurorisë, Ismet Tara, i njohur si Komandant Hoxha, i cili tha se Prokurorisë do t’i përgjigjet në pyetjet shtesë vetëm në rastet kur pyetjet e tyre dalin nga kundërpyetjet e mbrojtjes dhe jo për tema të tjera. Tara në seancën e sotme tha se edhe dokumenti i prezantuar i UNMIK-ut i vitit 2001 është trillim dhe se asnjëherë nuk ka pasur takime me ta.

Me kërkesën e vazhdueshme për ta parë dokumentin nga intervistimi i vitit 2019, komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara, ka vazhduar dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në ditën e dytë të dëshmisë, Tara ka përsëritur se nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të prokurores, të cilën e akuzoi se e ka humbur qëllimshëm dokumentin që po e kërkon.

Mbrojtja e Veselit e pyeti Tarën se çka përmban saktësisht dokumenti të cilin po e kërkon me kaq ngulm.

“Ai dokument nuk është përshkruar në prezencën time, nuk më është treguar kurrë mua, as për tu lexuar, as nuk e kam nënshkruar dhe as s’kam pas njohuri për atë dokument që 5 vite me radhë, vetëm se me datën19 të mërkurën në përgatitjen time me stafin e prokurores, më është treguar për herë të parë, ai dokument përshkruan Tarën sipas përshkrimit të intervistueseve, hetuesve, prokurorëve të mi sikurse Ismet Tara të kish thënë se Ismet Tara i din shumë krime që kanë ndodhur që ka bo krime UÇK-ja që ka vrarë civil, që ka djegur shtëpi, që ka bo krime jonjerëzore sipas atyre përshkrimeve, janë dy flet që unë si kam nënshkruar unë kurrë”, theksoi ai.

Tara, që kishte nofkën komandant Hoxha, tha se edhe dokumenti i prezantuar i UNMIK-ut i vitit 2001 është trillim dhe se asnjëherë nuk ka pasur takime me ta.

“Ismet Tara nuk ka asnjë dëshmi që dikush është vrarë, nuk i ka ndodhur Ismet Tarës që të japë dëshmi të rreme atëherë. Hiqma këtë dokument se nuk mund ta shoh më, nuk mund ta shoh më. Ti mund të bësh pyetje sa dush, por kur i dedikohesh këtij dokumenti… unë po them që as nuk i kam dhënë as nuk e kam takuar”, theksoi ai.

Para se ta përfundonte dëshminë, Tara insistoi t’i lejohen disa minuta për të dhënë sqarime shtesë, ku lexoi një përmbledhje për situatën e tij.

“Kur pashë se dokumenti ishte nënshkruar nga ekipi i intervistuesve të mi. Leximin e bëri përkthyesja ime, duke qarë ndryshova mendimin për gjykatën, hetuesit, dhe prokurorët, se janë armiqtë e mi, të UÇK-së, pavarësisë së Kosovës dhe popullit. Kërkova sqarime duke kërkuar e sharë intervistuesit e mi si kanë guxuar të më rrezikojnë. Tradhtarë të luftës, dhe të martirëve. Prej dokumentit më kujtohet vetëm të zezat që më janë përshkruar”, deklaroi ai.

Me këtë përfundoi intervistimi i Taras. Dhomat e Specializuara rifillojnë gjykimin më 17 mars.