Nga Besim DYBELI
Kanë mbetur aty. Të vetëm në trojet amtare. Sikurse bashkëkombësit e tjerë rreth kufijve shtetëror të Shqipërisë mëmë! Janë fate historie,, dhe pse të hidhura e të padrejta. Por, kështu janë pasojat në Ballkan, kur fati i shumë popujve ka qenë e mbetet në dorë të fuqive më të mëdha. Ky fat i ra Luginës së Preshevës. Kjo e fundit qëndron e nëpërkëmbur por me dinjitet bashkë me Bujanofc e Medvegje në hisen e diellit e tokës, që i takon.
Axhenda e Ditës së Miqësisë na stacionin në Preshevë. Asgjë nuk ka ndryshuar këtu e katër vite më parë, kur shkelnin për herë të parë në këtë copëz toke arbërore nën juridiksionin e shtetit të Serbisë. Nga ana tjetër nuk ka ndryshuar zemërdashuria, respekti dhe mikpritja e këtij komuniteti të varfër në ekonomi, por të pasur në shpirt. Atë ç’ka na përshkruan autoritetet vendore në takimet zyrtare, dukej sheshit me një shikim të shpejtë për rreth. Ulemi në një kafe në qendër të Preshevës. Lokali plot me djem e vajza të reja. Thashë me vete:- “Zakon i shqiptarëve, ky. Nuk dalin nga kafeneja për orë të tëra.” Po ku të shkojnë? Punë jo. Investime jo. Të drejtat themelore jo të plota. E dinin kush ishim e pse erdhëm këtu. Jo pak prej tyre “ziheshin” për të paguar kafetë e bashkëkombësve të tyre. Ne, na bashkon dhe bujaria, dhe pse të varfër.
Sa shkelim këtu, pamjet nuk duan koment. Rrugë të prishura e vende-vende trotuare të zhveshura. Qendra komunare mezi mbahej. Rrugicat dalëse të ngushta e të dëmtuara nga asfalti i vjetër. Gati e njëjta pamje edhe ne Bujanofc. Kolor gri e dielli gri. Toka plot. Por ç’e do?! Në të nuk ka bimësi. Për gjelbërim në komunitet nuk bëhej fjalë. A thua t’ia vëmë fajin klimës këtu? Jo. Investimet mungojnë gati totalisht. Mezi plotësohen pagat e nëpunësve të paktë në administratë. Jo pak prej banorëve “arnohen” financiarisht nga qindarkat e emigracionit. Qëkurse ka ndryshuar rrjedha e jetës në këtë pjesë të Ballkanit, janë rritur dhe shpresat për rimëkëmbje të pakicave. Por jo! Nëse nuk ofrohet ndihma e trungut kombëtar, zor se do të shohim “dritë në fund të tunelit “! Kosova është treguar më e kujdesshme. Të paktën në ndihma financiare. Atë janë më të mëdha se të Shqipërisë. Kjo e fundit i ka mundësitë më të mëdha. Tek e fundit 100 mijë banorë janë! Jo se do mbajnë shtëpinë me “miell hua”, por do ishte një shtyse goxha e mirë, nëse investimet do kishin të tjera shifra nga dy shtetet shqiptare.
Ndaj kësaj krahine, shteti të cilit i përkasin, po aplikon sot politikën më “demokratiko-paqsore” të shpopullimit. Është gjetur një mekanizëm antinjerëzor, por efikas. Pasivizimi i adresave. Ç’ka do të thotë, se kush largohet, fshihet nga lista! Në cilin vend të Botës, u shuhet vendbanimi, pse ikin në emigracion?! Njerëzit sot janë të lirë e punojnë atje ku të ardhurat për familjet e tyre janë më të mira. Një fakt. Jo pak banorë të minoritetit grek në Shqipëri punojnë, apo dhe jetojnë në shtetin helen. Çfar do të ndodhte nëse atyre do tu fshihej emri në gjendjet civile shqiptare e nuk do të kishin të drejtë të merrnin, qoftë dokumentin zyrtar më të thjeshtë?! Minoritarët greke ikin e vijnë më emigrim, por shtëpitë, tokat e pasuritë janë aty të paprekura. Po ashtu edhe adresat e tyre e askush nuk ha heq te drejtën e ligjshme të banimit. Askush nuk ua heq arsimin amëtar e librin shkollor në gjuhën e tyre. Pse kështu në Preshevë? Banorët e Luginës së Preshevës nuk kërkojnë as më pak e as më shumë, seç kërkojnë e kanë komuniteti serb në Kosovë, apo ai grek në Shqipëri. Zërin e kanë ngritur, por ai bie në vesh të shurdhët. Kanë dashuri për tokën e tyre stërgjyshore e mall për Kosovë e Shqipëri. Ndaj, ky komunitet shqiptar përtej kufijve shtetëror jeton e qëndron me sytë e zemrës nga “nënëlokja”! Le të shpresojmë…