rtsh
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për Ilir Metën. Kreu i Partisë së Lirisë bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së që e la atë në qeli, me argumentin se nuk kishte prova për mbajtjen e tij në burg. Por me vendimin e sotëm, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së.
Meta ka reaguar nga burgu përmes një mesazhi audio të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ku thotë se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“11 maji, dita historike, kur do ndahemi nga narkoregjimi dhe narkodrejtësia e tij. Sot për çështjen Meta hodhëm një hap pozitiv, sepse kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë që nuk ekziston, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut”, tha Meta.
Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK-ut. Ndaj Metës, SPAK ka ngritur dyshime për pasurinë e tij dhe për korrupsion e pastrim parash.
SPAK-u i nisi hetimet pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, i cili pretendonte se për llogari të LSI-së – para ndryshimit të emrit në Partia e Lirisë – u shpenzuan 700.000 dollarë të padeklaruara për qëllime lobimi.