Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha të mërkurën se SHBA-ja ka ndërprerë mbështetjen e inteligjencës dhe dërgesat e armëve në Ukrainë pas përplasjes në Zyrën Ovale midis presidentit Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të premten e kaluar.
“Trump kishte një pyetje konkrete nëse presidenti Zelensky ishte i përkushtuar ndaj procesit të paqes dhe ai tha të ndalojmë”, tha Ratcliffe në një intervistë për Fox Business, të mërkurën.
“Dua të jap një shans për të menduar për këtë dhe ju patë përgjigjen që dha presidenti Zelensky”, shtoi Ratcliffe, teksa shprehu shpresën se pauza do të hiqet së shpejti dhe theksoi angazhimin e tij për të punuar me Ukrainën drejt arritjes së paqes, pas një letre nga presidenti ukrainas drejtuar Trump.
“Dhe unë mendoj se ne do të punojmë krah për krah me Ukrainën, pasi duhet të zmbrapsim agresionin që është atje, ta vendosim botën në një vend më të mirë që këto negociata paqeje të ecin përpara”, shtoi drejtori i CIA-s, raporton CNN.
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se SHBA-ja tashmë ka kufizuar disa përkrahje të inteligjencës, duke përfshirë kryerjen e më pak fluturimeve të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit që mund të ndikojnë, si në operacionet sulmuese, ashtu edhe ato mbrojtëse, duke përfshirë mbrojtjen ajrore, pasi Ukraina varet nga inteligjenca amerikane për mbikëqyrje.