Kryesuesja e Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar për shtyrjen e trajtimit të kërkesës për avancim të statusit të Kosovës.
Bogujevci ka sqaruar situatën që ka ndodhur sot në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, pas deklaratës së kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, se është tërhequr aplikacioni i Kosovës për status të mysafirit special në Këshill të Evropës.
“Kjo pikë është pjesë procedurale e një shteti që aplikon për anëtarësim. Komiteti e trajton kërkesën me propozim të Byrosë dhe jep opinionin për Byronë, e cila e merr vendimin. Me kërkesë të deputetit Pablo Hispan, udhëheqës i grupit të EPP-së, është shtyrë kjo pikë e rendit të ditës. Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm kur, me mbi 80% të votave, kaloi raportin në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim”, ka sqaruar ajo.
Bogujevci më tej ka thënë se është për keqardhje reagimi i tillë i Bërnabiq si arritje e tyre.
“Është për keqardhje që një shtet e prezanton arritjen e një çështjeje që fare nuk lidhet me ta, për beteja të tyre politike të brendshme siç ka bërë sot Serbia. Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës sepse tashmë këtë e ka thënë Asambleja me votë. Ky është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm”, ka shkruar ajo në facebook.
Për këtë ka reaguar edhe anëtarja tjetër e grupit që përfaqëson Kosovën, Ariana Musliu – Shoshi, e cila ka kërkuar mobilizim.
“Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.