PZAP tha se refuzimi i kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje ndodhi për shkak se pretendimet e paraqitura për këtë çështje janë parashtruar pas afatit ligjor për ankimim. Por, tani krahas Lëvizjes Vetëvendosje, edhe vet figura të rëndësishme në Lidhjen Demokratike kanë ngritur shqetësime për procesin e numërimit të votave dhe integritetin e votës së diasporës.

Selmanaj: Votat nuk ishin në duar të sigurta

Kandidati për deputet i LDK-së, Driton Selmanaj, ka theksuar se votat në Qendrat Komunale të Numërimit nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe se kjo, sipas tij, ka ndikuar në pasqyrimin e vullnetit të qytetarëve.

“Një proces i rregullt zgjedhor është përcaktues për të nxjerrë institucione demokratike. Çdo prekje e votës është vepër penale dhe si pasojë, abuzuesit duhet ta marrin dënimin e merituar. Siç po shihet deri më tani, votat në Qendrat Komunale të Numrimit, nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe rrjedhimisht rezultatet nuk e pasqyrojnë vullnetin e votuesve që kanë marrë pjesë në votime”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Sipas tij, manipulimet me votat e diasporës kanë qenë edhe më të theksuara, duke nxjerrë në pah skema të organizuara brenda partive politike për të ndikuar në rezultatet përfundimtare.

“Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës, kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike. KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe me këtë abuzuesit të marrin dënimin e merituar. Vota e secilit qytetarë është e shenjtë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të angazhohemi që ato të mbrohen me çdo kusht”, ka shtuar ai.

Sipas Selmanajt, mbrojta e rregullsisë së procesit, ku përmes votës shprehet vullneti politik i qytetarëve, është misioni më patriotik që sot mund t’i bëjmë vendit tonë.

“Pa asnjë dyshim Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë këtë mision! Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën dhe përsëritja e votimit të mërgatës, si në përfaqësitë diplomatike ashtu edhe votimi përmes postës, është e vetmja mënyrë që rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral. Demokracia pa sigurinë e votës, ka tjetër emër”, ka shkruar ai.

Bajrami: Çdo votë duhet të rinumërohet, çdo dyshim të hetohet

Edhe kolegia e Selmanajt nga LDK, Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për rinumërimin e çdo vote dhe hetimin e çdo dyshimi mbi parregullsitë. Ajo ka theksuar se për LDK-në, vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe çdo përpjekje për ta devijuar atë duhet të ndëshkohet ligjërisht.

“Le të rinumërohet secila votë, le të hetohet secili dyshim, le të verifikohet çdo gjë. Ne kemi institucione të thirrura për këtë punë, andaj askush nuk duhet të frikësohet nga rinumërimi dhe hetimi. Çdo dyshim duhet të zbardhet me shpejtësi dhe vendosmëri, pasi që vetëm kështu forcohet besimi dhe integriteti i procesit zgjedhor”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Për LDK-në, ka shkruar tutje Bajrami, vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe kushdo që ka tentuar ta devijojë atë, vendin e ka në burg.

“Të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Secili anëtar, secili përkrahës, secili votues duhet të angazhohet për të mbrojtë vlerat e LDK-së dhe për ta rikthyer atë si forcën e parë politike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit”, ka shtuar ajo.

Gashi: Procesi ka dështuar, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kandidati tjetër për deputet nga LDK, Arben Gashi. Ai tha se procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar, duke dëmtuar rëndë besimin në rezultatet zgjedhore.

“Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë. Një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës. Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, ka shkruar ai.

Me kërkesat në rritje për rinumërim dhe hetim, mbetet të shihet se çfarë vendimesh do të marrin institucionet përgjegjëse dhe si do t’i adresojnë ato.

KQZ ka bërë të ditur se pa përfundimin e afateve kohore dhe vendimeve nga PZAP dhe eventualisht Gjykata Supreme nuk do të procedojë me certifikim të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.