Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se mërgimtarët që deri më tash janë regjistruar në vendet gjermane si shtetas të Serbisë, mund ta ndërrojnë këtë. Ai në Facebook, ka theksuar se mërgimtarët duhet t’iu drejtohen organeve kompetente gjermane dhe të kërkojnë që në kategorinë e shtetësisë “të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë”.
Ambasadori Ajeti ka bërë të ditur se ky ndryshim vjen nga një qarkore nga ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.
“Më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komunat e ndryshme, në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar dhe si shtetas të Serbisë. Tani e kam kënaqësinë e veçantë që se si rezultat i punës sonë, ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar do të marrë fund. Në vazhdën e përpjekjeve tona të pandërprera dhe komunikimeve të shumta me institucionet gjermane, përkatësisht me kancelarin federale, ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, ministrinë Federale të Punëve të Brendshme dhe ministrinë Federale të Drejtësisë, kemi kërkuar që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të saj dhe assesi të mos evidentohen edhe si shtetas serbë. Jo vetëm 16 lëndë gjermane, por edhe mbi 5 mijë e 200 qendra të regjistrimit civil në krejt Gjermaninë e kanë pranuar tashmë një qarkore nga ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës”, ka deklaruar ai nëpërmjet një videomesazhi.
Ajeti i ka ftuar shtetasit e Kosovës që kanë kësi probleme të drejtohen te institucionet gjermane ose t’i drejtohen ambasadës së Kosovës në Gjermani.
“Ata tash e tutje do të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës. U bëjmë thirrje qytetarëve me vendbanim në Gjermani dhe që janë të prekur nga ky fenomen, t’u drejtohen organeve kompetente gjermane për të bërë korrigjimin e dokumentacionit. Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë të largohet një herë e përgjithmonë shtetësia e Serbisë”, ka thënë ambasadori.